ShBA-ja thotë se Izraeli e Libani janë pajtuar për ta zgjatur armëpushimin për 45 ditë

23:18 | 15 Maj 2026
Q L

Izraeli dhe Libani janë pajtuar për ta zgjatur edhe për 45 ditë armëpushimin që presidenti amerikan, Donald Trump, e kishte shpallur më 16 prill, tha të premten Departamenti i Shtetit i ShBA-së.

“Ndërprerja e armiqësive e 16 prillit do të zgjatet për 45 ditë për të mundësuar përparim të mëtejmë” – tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Departamenti i Shtetit i cilësoi si “shumë produktive” bisedimet Izrael – Liban që u mbajtën të enjten dhe të premten në Uashington dhe tha se dy vendet do t’i vazhdojnë bisedimet më 2 dhe 3 qershor.

Bisedimet e kësaj jave ishin takimi i tretë mes palëve që nga koha kur Izraeli i shpeshtoi sulmet ajrore ndaj Libanit, pasi Hezbollahu hodhi raketa në drejtim të Izraelit më 2 mars, tri ditë pas fillimit të luftës amerikano-izraelite ndaj Iranit. Izraeli muajin e kaluar e zgjeroi pushtimin tokësor të pjesës jugore të Libanit.