OKB paralajmëron për krizë urie në Sudan

22:29 | 15 Maj 2026
Q L

Agjencitë e Kombeve të Bashkuara paralajmëruan sot se situata në Sudan pritet të përkeqësohet më tej, pasi kriza e urisë po thellohet, në të njëjtën kohë me fillimin e sezonit të shirave.

Sipas një deklarate të përbashkët të disa agjencive të OKB-së, gjendja në këtë vend të Afrikës Lindore, i shkatërruar nga një luftë civile trevjeçare, është jashtëzakonisht shqetësuese.

Ato kanë bërë thirrje për qasje të shpejtë dhe të pakufizuar humanitare.

Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së, Programi Botëror i Ushqimit dhe UNICEF iu referuan analizës më të fundit të “Klasifikimit të Fazave të Sigurisë Ushqimore të Integruar”, një sistem global që vlerëson sigurinë ushqimore dhe përfshin afro 24 organizata të OKB-së dhe të ndihmës humanitare.

Sipas vlerësimit, rreth 19,5 milionë njerëz – afro 40% e popullsisë së Sudanit – po përballen me pasiguri akute ushqimore.

Analiza tregon se 14 milionë persona ndodhen në Fazën 3 të IPC-së, e karakterizuar nga uria akute, ndërsa mbi 5 milionë janë në Fazën 4, që përfaqëson emergjencë humanitare.

Rreth 135,000 persona ndodhen në Fazën 5, niveli më kritik, i cili përshkruan kushte të ngjashme me urinë masive.

Agjencitë paralajmërojnë se situata pritet të përkeqësohet gjatë periudhës së varfërisë ushqimore midis qershorit dhe shtatorit.

Në mënyrë të veçantë, rajoni i Kordofanit është identifikuar si një nga zonat më të prekura, ku luftimet mes Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) dhe ushtrisë qeveritare kanë rënduar më tej furnizimet.

Sipas OKB-së, RSF po rrethon qytete dhe po bllokon konvojet me ndihma humanitare.

Në deklaratë, FAO, WFP dhe UNICEF kanë bërë thirrje për ndërprerje të menjëhershme të luftimeve, mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës civile.

Gjithashtu, ato i kanë kërkuar komunitetit ndërkombëtar rritje urgjente të financimit për ndihmën humanitare në vend./atsh

Shpërndaje në rrjete sociale