Rusia nisi një valë të re sulmesh me dronë kamikazë në Kiev në orët e para të 11 korrikut, thanë zyrtarët ukrainas.
Ky zhvillim ndodhi pak para fillimit të samitit të NATO-s në Lituani, ku diskutimet për ndihmën ushtarake për Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus dhe marrëdhënia e saj e ardhshme me Aleancën do të jenë tema kryesore.
Para fillimit të samitit, Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden planifikon të zhvillojë një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Vilnius, më 12 korrik.
Sulmi i fundit me dronë në Kiev, i dyti këtë muaj, u tha se u zmbraps nga mbrojtja ajrore e Ukrainës, duke shkaktuar vetëm dëme të vogla, sipas vlerësimeve fillestare.
“Të gjitha objektivat ajrore që po lëviznin në drejtim të Kievit u shkatërruan nga forcat tona të mbrojtjes ajrore”, tha kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit ukrainas, Serhiy Popko, në Telegram.
Mbrojtja ajrore ukrainase tha se kishte shkatërruar 26 nga 28 dronët Shahed të prodhuar nga Irani, të lëshuar nga Rusia.
Ministria e Brendshme e Ukrainës tha se mbetjet që ranë nga dronët e shkatërruar shkaktuan dëme të vogla, si xhama të thyer në disa ndërtesa në zonën përreth Kievit.
Në Vilnius, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, njoftoi më 11 korrik se NATO do t’i ofrojë Ukrainës një udhërrëfyes reformash për të lehtësuar anëtarësimin e saj të ardhshëm në aleancë.
Megjithatë, ai sqaroi se ky udhërrëfyes nuk do të përfshijë një afat specifik për pranimin e Ukrainës.
Zelensky më 10 korrik u kërkoi përsëri aleatëve perëndimorë një “sinjal të qartë” mbi perspektivat e anëtarësimit të vendit të tij në NATO.
“Ukraina e meriton të jetë në aleancë. Jo tani, sepse tani ka luftë, por ne kemi nevojë për një sinjal të qartë dhe ky sinjal është i nevojshëm tani”, tha Zelenskiy në një video-mesazh të postuar në Twitter.
Përpara samitit të Vilnius, vendet anëtare të NATO-s mbeten të ndara në qëndrimet e tyre në lidhje me rrugën e anëtarësimit të Ukrainës në Aleancën ushtarake.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha në një konferencë për shtyp se do të ketë më shumë takime, duke shtuar se nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar, por ai është “absolutisht i sigurt se ne do të kemi unitet dhe një mesazh të fortë për Ukrainën”.
Moska paralajmëroi përsëri kundër lejimit të Kievit në aleancë. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se kjo do të kishte një ndikim “shumë, shumë negativ” në sigurinë e Evropës dhe Moskës do të duhet të mendojë për një përgjigje “të vendosur” ndaj asaj që ai e quajti “një rrezik absolut dhe një kërcënim për vendin tonë”.
Presidenti Vladimir Putin ka përmendur zgjerimin e NATO-s drejt lindjes si arsye për vendimin e tij për të dërguar forcat e tij të armatosura në Ukrainë në shkurt 2022./rel/
Njësia Speciale “zbarkon” në Skenderaj
Hashim Thaçi me mesazh për politikanët: Egoja në politikë të...
Zyrtare: Carlo Ancelotti në krye të Brazilit deri në vitin 2...
Amerikanët kapën tre ton kokainë me vlerë rreth 40 milionë e...
Hashim Thaçi rrëfen takimin emocional me Adem Demaçin para p...
Hashim Thaçi nga paraburgimi: Kosova më pro-amerikane në bot...