Policia ruse ka futur në listën e personave më të kërkuar kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, ministrin e kulturës të Lituanisë si dhe ish-deputetë lituanezë.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se zonja Kallas është në kërkim për shkak të “fyerjes së kujtesës historike”.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS njoftoi se zyrtarët e vendeve baltike akuzohen për “shkatërrimin e monumenteve të ushtarëve sovjetikë”, për të cilin kodi penal rus parashikon dënim me 5 vite burgim.
“Kremlini tashmë shpreson se me këtë veprim do të më heshtë mua dhe të tjerët – por nuk do t’ia arrijë”, deklaroi kryeministrja estoneze në rrjetin social X.
“Do ta vazhdoj mbështetjen time të fortë për Ukrainën. Do të vazhdoj të mbështes forcimin e mbrojtjes së Evropës” tha ajo, duke shtuar se veprimi i Rusisë nuk ishte një surprizë.
Pasi Rusia sulmoi Ukrainën dy vite më parë, vendet baltike Estonia, Letonia dhe Lituania rrëzuan monumentet e epokës sovjetike, përfshirë edhe monumentet kushtuar ushtarëve sovjetikë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Ky është vetëm fillimi”, u shpreh zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova.
“Krimet ndaj kujtesës për ata që çliruan botën nga nazizmi dhe fashizmi duhet të hetohen dhe ndëshkohen”, tha ajo.
Politikanët e vendeve baltike rrezikojnë të arrestohen vetëm nëse kalojnë kufirin rus. Krahas kryeministres Kallas, në listën e të kërkuarve është futur edhe sekretari estonez i Shtetit, ministri i Kulturës, si dhe rreth 60 deputetë të parlamentit të mëparshëm të Lituanisë.
Shtetet Baltike u ankesuan nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1940 dhe në vazhdim u pushtuan nga Gjermania naziste, përpara se t’i riktheheshin Moskës si pjesë e bllokut komunist. Ato rifituan pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991./VOA
Njësia Speciale “zbarkon” në Skenderaj
Hashim Thaçi me mesazh për politikanët: Egoja në politikë të...
Zyrtare: Carlo Ancelotti në krye të Brazilit deri në vitin 2...
Amerikanët kapën tre ton kokainë me vlerë rreth 40 milionë e...
Hashim Thaçi rrëfen takimin emocional me Adem Demaçin para p...
Hashim Thaçi nga paraburgimi: Kosova më pro-amerikane në bot...