Putini i hapur për shkëmbim territoresh, por e do të gjithë Donbasin

20:26 | 26 Dhjetor 2025
Q L

Presidenti rus Vladimir Putin u ka thënë disa prej biznesmenëve më të fuqishëm të Rusisë se mund të jetë i hapur për shkëmbimin e një pjese të territoreve që kontrollohen nga forcat ruse në Ukrainë, por se synon të marrë të gjithë rajonin e Donbasit, raportoi gazeta ruse “Kommersant”.

Sipas Andrey Kolesnikov, gazetar i kësaj gazete dhe njohës i çështjeve të Kremlinit, Putin i ka informuar biznesmenët për detajet e planit gjatë një takimi të zhvilluar të enjten vonë në Kremlin.

“Vladimir Putin deklaroi se pala ruse vazhdon të jetë e gatshme për lëshimet që i ka bërë në Anchorage. Putini kërkon të gjithë Donbasin, por jashtë këtij rajoni nuk përjashtohet një shkëmbim i pjesshëm territoresh nga ana e Rusisë”, shkruan “Kommersant”.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se delegacionet e Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara janë pranë finalizimit të një plani me 20 pika gjatë bisedimeve të zhvilluara në Miami gjatë fundjavës. Megjithatë, Zelensky ka thënë se nuk është arritur pajtim për kërkesat që Ukraina të heqë dorë nga pjesët e Donbasit që ende i kontrollon, si dhe për të ardhmen e centralit bërthamor të Zaporizhias, i cili ndodhet nën kontrollin e forcave ruse.

Presidenti amerikan Donald Trump ka premtuar vazhdimisht se do t’i japë fund luftës më vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Emisari i tij Steve Witkoff dhe këshilltari e dhëndri i tij, Jared Kushner, po zhvillojnë negociata me Rusinë, Ukrainën dhe fuqitë evropiane.

Detajet e plota të propozimeve amerikane ende nuk janë bërë publike, ndonëse zyrtarë rusë kanë përmendur vazhdimisht një “konsensus” të paqartë të arritur mes Putinit dhe Trumpit gjatë samitit të mbajtur në Anchorage, Alaskë, në gusht.

Sipas vlerësimeve ruse, Rusia aktualisht kontrollon të gjithë Krimenë, të cilën e aneksoi në vitin 2014, rreth 90 për qind të Donbasit, 75 për qind të rajoneve Zaporizhia dhe Kherson, si dhe pjesë të rajoneve Kharkiv, Sumy, Mykolaiv dhe Dnipropetrovsk.

Putin deklaroi një javë më parë se beson se një marrëveshje paqeje duhet të bazohet në kushtet që ka vendosur në vitin 2024: tërheqjen e Ukrainës nga i gjithë Donbasi, Zaporizhia dhe Khersoni, si dhe heqjen dorë zyrtarisht të Kievit nga synimi për t’u anëtarësuar në NATO.

Sipas “Kommersant”, Putini ka ngritur gjithashtu çështjen e centralit bërthamor të Zaporizhias, objekti më i madh bërthamor në Evropë, gjatë takimit me biznesmenët. Ai ka thënë se po diskutohet një menaxhim i përbashkët ruso-amerikan i centralit, si dhe ka shtuar se SHBA-ja ka shprehur interes për nxjerrjen e kriptomonedhave pranë centralit. Sipas tij, centrali duhet të përdoret edhe për të furnizuar pjesërisht Ukrainën me energji elektrike.

Shpërndaje në rrjete sociale