Presidenti rus, Vladimir Putin, tha më 18 janar se nuk ka “dyshim” se Moska do të dalë fituese në Ukrainë, pavarësisht ngecjeve në fushëbetejë në pushtimin e nisur pothuajse një vit më parë.
Putin dërgoi trupat në Ukrainë shkurtin e kaluar dhe në shtator njoftoi për një mobilizim ushtarak për të mbështetur forcat e Moskës në fushëbetejë.
Pavarësisht një sërë humbjesh ushtarake, fitorja është “e garantuar dhe unë nuk kam asnjë dyshim për këtë”, tha Putin para punëtorëve në një fabrikë në Shën Petersburg.
“Uniteti dhe solidariteti i popullit rus, kuraja dhe heroizmi i luftëtarëve tanë, natyrisht puna e industrisë ushtarake” do të sigurojnë fitoren, shtoi ai.
Putin po ashtu lavdëroi industrinë ruse të mbrojtjes gjatë fjalimit të tij në këtë fabrikë që është pjesë e kompanisë Almaz-Antey, që prodhon raketa ruse.
Lideri rus zhvilloi vizitën në Shën Petersburg për të shënuar 80-vjetorin kur forcat ruse thyen rrethimin e këtij qyteti, që atëbotë njihej me emrin Leningrad.
Deklaratat e Putinit erdhën një javë pasi Rusia emëroi një komandant të ri për luftën në Ukrainë, pasi forcat e Moskës u përballën me një sërë disfatash vitin e kaluar në Ukrainë.
Putin edhe një herë mbrojti qëllimet e tij në Ukrainë, pasi fillimisht ai kishte deklaruar se po dërgonte trupat për të “denazifikuar” këtë shtet fqinj.
“Ne jemi të justifikuar kur themi se po luftojmë neo-nazizmin”, tha ai.
Rusia e quan pushtimin e Ukrainës “operacion të posaçëm ushtarak”. Që kur nisi pushtimin, Moska është përballur me sanksione të ashpra nga shtetet perëndimore./REL/
Gjendet pa shenja jete një person në banesën e tij në Mitrov...
Vance: Sulmet nisën sepse Irani nuk e kaloi testin e besuesh...
Vdes një person në QKUK, rasti po hetohet
Benita shpërthen në lot pas përplasjes me Klodin
Numri i aksidenteve dhe gjobave gjatë muajit shkurt-2026 në ...
Konflikti në Iran/ Trump: SHBA ka armë për një luftë të përh...