Putin: Mendoj se lufta me Ukrainën po shkon drejt fundit

07:23 | 10 Maj 2026
E.G

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se lufta me Ukrainën po i afrohet fundit.

Këtë deklaratë ai e bëri pas paradës të Ditës së Fitores në Sheshin e Kuq.

“Mendoj se po shkojmë drejt fundit” tha Putin para gazetarëve në Kremlîn, sipas Reuters.

Ai nuk dha detaje të mëtejshme mbi këtë vlerësim, as nuk sqaroi nëse mendonte për një armëpushim, negociata apo një zgjidhje përfundimtare të konfliktit që ka zgjatur më shumë se katër vjet.

Deklarata vjen në një ditë simbolike për Rusinë – 9 Maji, dita e fitores së Bashkimit Sovjetik mbi Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Megjithatë, festimet e këtij viti u zhvilluan nën hijen e sigurisë së rreptë dhe në një format të reduktuar ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme. Për herë të parë në gati dy dekada, parada nuk përfshiu tanke, raketa apo pajisje të rënda ushtarake, kryesisht për shkak të frikës nga sulmet e mundshme me dronë nga Ukraina.

Parada e këtij viti u zhvillua nën masa të paprecedenta sigurie. Rusia ka njoftuar një armëpushim të përkohshëm tre-ditor me Ukrainën për të shënuar Ditën e Fitores, duke përfshirë edhe një shkëmbim të burgosurish.

Megjithatë, tensionet mbeten të larta dhe Kievi ka kufizuar armëpushimin në kohë dhe hapësirë, duke përjashtuar zona specifike.

Në fjalimin e tij, Putin theksoi se “fitorja ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e jona”, duke lidhur luftën aktuale në Ukrainë me trashëgiminë historike të Luftës së Madhe Patriotike.

Ai akuzoi NATO-n për mbështetje të “agresionit” kundër Rusisë dhe lavdëroi ushtarët rusë në front.

/rtsh.al/