Putin dyfishon kërkesat e tij për territorin e Ukrainës

23:42 | 27 Nëntor 2025
Q L

Presidenti Vladimir Putin i ka dyfishuar kërkesat e tij kryesore për t`i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke deklaruar se Rusia do të lëshojë armët vetëm nëse trupat e Kievit tërhiqen nga territori i pretenduar nga Moska.

Putin, ka kohë që ka kërkuar njohjen ligjore të territoreve ukrainase që Rusia i ka pushtuar me forcë.

Ato përfshijnë gadishullin e Krimesë, të cilin e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014, dhe Donbasin, të përbërë nga Luhansku dhe Donetsku, të cilin Moska tani e ka të pushtuar pjesën më të madhe.

Për Kievin, i cili ka përjashtuar heqjen dorë nga pjesët e Donbasit që ende i mban, shpërblimi i Rusisë për agresionin e saj është një gjë e papranueshme.

Duke folur me gazetarët gjatë një udhëtimi në Kirgistan, Putin akuzoi Kievin se dëshiron të luftojë “deri në ukrainasin e fundit” – gjë që ai tha se Rusia ishte “në parim” gjithashtu e gatshme ta bënte.

Ai përsëriti pikëpamjen e tij se Rusia ka iniciativën në fushën e betejës dhe luftimet do të mbarojnë vetëm kur trupat ukrainase të tërhiqen nga territoret e sulmuara.

“Nëse ata nuk tërhiqen, ne do ta arrijmë këtë me forcën e armëve”, tha ai.

Megjithatë, përparimet e ngadalta të Rusisë në Ukrainën lindore kanë ardhur me një kosto të konsiderueshme njerëzore ku Sipas Institutit për Studimin e Luftës me bazë në SHBA, me këtë ritëm do t’i duheshin Moskës pothuajse dy vjet të tjera për të pushtuar pjesën tjetër të rajonit të Donetskut.

Komentet e së enjtes ishin të parat që Putin iu drejtua lëvizjeve të ngjeshura diplomatike të javës së kaluar, ku SHBA-ja dhe Ukrainë zhvilluan diskutime intensive mbi një plan paqeje që thuhet se u hartua në tetor nga zyrtarët amerikanë dhe rusë.

Plani, i cili ishte shumë i anuar nga kërkesat e Moskës, u rishikua më pas. Megjithatë, mendohet se ai nuk e trajton çështjen e territoreve të pushtuara, e cila – së bashku me garancitë e sigurisë për Ukrainën – është pika më e madhe e mosmarrëveshjes mes Moskës dhe Kievit.

 

 

Të ngjashme