Protestuesit bërtasin “Vdekje diktatorit” në Teheran

17:56 | 26 Korrik 2021

Protestat në Iran, kundër mungesës së ujit dhe përkeqësimit të gjendjes ekonomike, janë duke u përhapur nëpër rrugët e Teheranit, derisa protestuesit janë dëgjuar duke bërtitur “Vdekje diktatorit”.

Shërbimi iranian i Radios Evropa e Lirë, ka cituar video dhe tekste të publikuara nëpër rrjetet sociale, që tregojnë se marshet janë mbajtur në Teheran, në mëngjesin e 26 korrikut.

Zëvendës-Guvernatori i Teheranit, Hamidreza Goodarzi, ka konfirmuar protestën e së hënës. Ai ka thënë se arsyeja e protestës është “mungesa e energjisë elektrike”.

Mirëpo Shërbimi iranian i REL-it, ka thënë se protestuesit e Teheranit kanë shprehur mbështetje edhe për protestat në Kuzestan dhe qytete tjera iraniane, ku po mbahen marshe nga 15 korriku, për shkak të mungesave të ujit.

Në një video të publikuar nga Teherani, protestuesit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre dhe kanë kritikuar klerikët islamikë, që kontrollojnë jetën në Teheran, duke bërtitur: Topat, tanket, fishekzjarrët dhe mullahët duhet të largohen”.

Në disa video tjera, protestuesit e rinj kanë bërtitur, “Trup Khameneit”, duke iu referuar liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei.

Të tjerë janë dëgjuar duke thënë: As për Gazën, as për Libanin, sakrifikoj jetën për Iranin”.

Këto slogane janë dëgjuar për dekada nga ata që kundërshtojnë politikat e Qeverisë iraniane, e cila ofron ndihmë financiare dhe armë për grupet militante palestineze dhe luftëtarë të Hezbollahut në Liban.

Irani është duke u përballur me thatësinë më të keqe në 50 vjetët e fundit, çka ka rezultuar me mungesa të ujit dhe dëmtim të bujqësisë.

Protestat në këtë shtet vijnë edhe teksa Irani përballet me një valë tjetër të pandemisë së koronavirusit dhe ekonomia vazhdon të ketë probleme nga sanksionet e ashpra amerikane.

Mijëra punëtorë në sektorin e naftës në Iran, kanë mbajtur protesta për paga më të mira dhe kushte më të mirë të punës.

Prej nisjes së protestave më 15 korrik, të paktën pesë protestues janë qëlluar për vdekje në Iran.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, ka thënë se vdekjet kanë qenë rezultat i “forcës së tepruar” të autoriteteve iraniane.

Kjo Organizatë u ka bërë thirrje autoriteteve iraniane për “transparencë”, gjatë hetimit të këtyre vdekjeve, si dhe që të mbahen përgjegjës ata që janë mbrapa tyre./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara