Qindra protestues u mblodhën para Gjykatës së Lartë të shtunën për të kundërshtuar vendimin që hodhi poshtë një precedent gjysmë shekullor, të njohur si çështja Roe kundër Wade, i cili u njihte të drejtën grave për abort.
Pas vendimit të gjykatës, mbështetur nga 5 gjykatës konservatorë nga nëntë gjithsej që ka ky institucion, pritet që gjysma e shteteve ta ndalin ose me gjasë të ndërmarrin masa për ta ndalur abortin.
Gjykatësi konservator Clarence Thomas sugjeroi se arsyetimi i gjykatës mund ta shtyjë atë të rishqyrtojë vendimet e kaluara që mbrojnë të drejtën për përdorim të kontraceptivëve apo legalizimin e martesave të homoseksualëve në mbarë vendin.
Mes protestuesve kishte nga të dyjat palët, mbështetës të abortit dhe kundër tij.
“Gjykata e Lartë ka marrë disa vendime të tmerrshme”, tha të shtunën Presidenti demokrat Joe Biden.
Ai shtoi se Shtëpia e Bardhë do të mbikëqyrë se si shtetet do t’i zbatojnë ndalimet.
Zyrtarët e administratës kanë sinjalizuar tashmë se kanë në plan të sfidojnë përpjekjet e atyre shteteve që do të kërkojnë të ndalin përdorimin e një ilaçi që përdoret për abort.
Konservatorët e krishterë kishin luftuar prej kohësh për të përmbysur Roe kundër Wade dhe vendimi i së premtes shihet si një fitore e dëshiruar, rezultat i një fushate të gjatë për të emëruar gjykatës kundër abortit në Gjykatën e Lartë.
Vendimi kishte mbështetjen e të tre gjyqtarëve të emëruar nga ish-Presidenti Donald Trump.
Por ky vendim bie në kundërshtim me opinionin e gjerë publik.
Një sondazh i zhvilluar nga agjencia Reuters në bashkëpunim me kompaninë e sondazheve Ipsos zhvilluar muajin e kaluar, doli në përfundimin se rreth 71 për qind e amerikanëve, përfshirë shumica e demokratëve dhe republikanëve, thanë se vendimi për ndërprerjen e shtatzënisë duhet t’i lihen një gruaje dhe mjekut të saj dhe jo të rregullohet nga qeveria.
Por kjo mbështetje nuk është absolute, 26 për qind e të anketuarve thanë se aborti duhet të jetë i ligjshëm në të gjitha rastet, ndërsa 10 për qind thanë se jo në gjitha rastet ai duhet të jetë i ligjshëm, me shumicën që mbështet idenë e vendosjes së disa kufizimeve.
Vendimi ka të ngjarë të ndikojë në sjelljen e amerikanëve në zgjedhjet 8 nëntorit për Kongresin, gjatë të cilave demokratët do të përballen me një rrezik të madh për të humbur shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ndoshta edhe në Senat./VOA/
Libohova tërheq turistë edhe në dimër, vizitorët kërkojnë të...
Sulm fizik gjatë një ahengu në Leposaviq, viktima dërgohet p...
24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit
Burri raporton në polici se gruaja e tij është larguar nga s...
Të fjeturit më pak se gjashtë orë gjumë, rrit rrezikun e dem...
Dëmtimi i varrezës së Astrit Deharit, policia jep detaje