Presidenti polak: Vendet e Ballkanit duhet të jenë pjesë e BE-së

12:56 | 5 Korrik 2019

Në samitin në Poznan të Polonisë, që po mbahet në kuadër të procesit të Berlinit, tashmë kanë mbërritur dhe po marrin pjesë kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministrja britanike, Theresa May,kryeministri francez Edouard Phelipe e kryeministra të vendeve të tjera.

Presidenti polak, Pan Andrzej Duda, në hapje të takimit, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e BE-së.

Ai u shpreh se është e vërtetë që unioni po ballafaqohet me shumë probleme, por megjithatë procesi i integrimit të vendeve të rajonit nuk duhet të vihet në pikëpyetje.

Duke përmendur Britaninë e Madhe si vend për të cilin tha se ka mundësi të largohet nga BE-ja, presidenti polak u shpreh se ky është një moment kur vendet e Ballkanit duhet t’i bashkohen BE-së. Duke shprehur opinionin e tij, presidenti Duda tha se duhet të vendoset datë për anëtarësim të vendeve të Ballkanit në BE e jo të jepen vetëm deklarata, përcjell RTK.

Sidoqoftë, presidenti polak tha se edhe vendet duhet të bëjnë më shume duke marrë qoftë edhe vendime që nuk janë shumë popullore, por duke pasur garancinë për anëtarësim. Si rast ai përmendi Maqedoninë e Veriut e cila ka ndryshuar edhe emrin për hir të së ardhmes. Teksa foli për vendet e rajonit, ai vlerësoi se ky shtet bashkë me Shqipërinë kanë përmbushur detyrimet dhe duhet të hapin bisedimet për anëtarësim.

Shpërndaje në rrjete sociale