Mijëra policë të armatosur rëndë po patrullojnë rrugët e Sidneit ndërsa njerëzit festojnë Vitin e Ri – një pamje e rrallë dhe tronditëse në Australi, pas të shtënave masive në plazhin Bondi.
Disa oficerë janë autorizuar të mbajnë armë të nivelit të lartë si pjesë e masave të shtuara të sigurisë. Sulmi i 14 dhjetorit kishte në shënjestër komunitetin hebre të Australisë dhe vrau 15 persona gjatë një festivali të Hanukës, raporton BBC.
Policia e Uellsit të Ri Jugor (NSW) tha se më shumë se 2.500 oficerë do të jenë në detyrë në të gjithë qytetin.
Festat zyrtare të Natës së Vitit të Ri u ndërprenë në orën 23:00 sipas kohës lokale (12:00 GMT) për një minutë heshtje në nderim të viktimave të sulmit, ndërsa Ura e Portit të Sidneit u ndriçua me dritë të bardhë për të simbolizuar paqen.
Fotografi nga Porti i Sidneit – ku çdo vit mblidhen turma të mëdha për të parë fishekzjarrët e famshëm të qytetit – tregojnë oficerë policie që patrullojnë mes turmave me armë të gjata.
Në prag të eventit, kryeministri i shtetit, Chris Minns, paralajmëroi se disa njerëz mund ta gjenin pamjen “shqetësuese”, me policë që “mbajnë armë zjarri dhe pajisje që nuk i keni parë më parë”.
“Por nuk kërkoj ndjesë për këtë. Ne duam që njerëzit të jenë të sigurt në komunitetin tonë,” shtoi ai.
Turistët britanikë Joe dhe Lucy thanë se prania e shtuar e policisë i bëri të ndiheshin më të qetë.
Çifti – që e kishte planifikuar udhëtimin në Australi për t’u përputhur me fishekzjarrët – ndodhej në Melburn kur ndodhi sulmi.
“Kishim shqetësimet tona për të ardhur për Natën e Vitit të Ri,” i tha Joe BBC-së, duke shtuar: “por kohët e fundit po lexonim në lajme… se do të kishte më shumë polici këtu, se do të ishte pak më e sigurt.”
Veçmas, Minns u bëri thirrje banorëve të Sidneit të mos lejojnë që “ngjarja e tmerrshme kriminale terroriste” në Bondi të ndryshojë mënyrën e tyre të jetesës, duke i ftuar njerëzit të “tregojnë qëndresë” dhe të festojnë Vitin e Ri.
Ky qëndrim u nda edhe nga disa prej spektatorëve.
Mes turmave në Observatory Hill të Barangaroo-s, një vend shumë pranë Urës së Portit të Sidneit, ishte Hélène nga Belgjika.
Ajo i tha BBC-së se njerëzit “nuk mund të jetojnë në frikë” pas sulmit.
Disa orë para numërimit mbrapsht, qindra mijëra njerëz u drejtuan drejt portit, me shumë zona zyrtare vëzhgimi që u mbushën plot që herët në mbrëmje.
Në port, varka me vela mbushnin ujërat – një nga vendet më të mira për të parë shfaqjen e fishekzjarreve në mesnatë.
Festimi i Sidneit – me shfaqjen e tij ikonike të fishekzjarreve – nis një zinxhir ngjarjesh në mbarë botën, nga Dubai, në Londër dhe Nju Jork.
Osmani: Viti 2025 ishte sfidues, 2026 të jetë i bashkëpunimi...
“Paqe, shpresë e harmoni”: Urimi i ambasadorit britanik për ...
Tri pikat që u miratuan në mbledhjen e fundit të qeverisë pë...
‘‘Shprehim mirënjohjen tonë për miqësinë tuaj’’, ambasada am...
Zvicra në prag të Vitit të Ri, ngrica dhe mjegull
Abdixhiku pranon rezultatin zgjedhor: Me kohë e në vendin e ...