Google ADS

Politikani britanik: Shqiptarët kanë agjenda të tjera kur mbërrijnë në Britani

23:32 | 7 Gusht 2022
Trina Galanxhi

Numri i shqiptarëve që synojnë Mbretërinë e Bashkuar për të jeturar është mjaft i lartë.

Kreu i Partisë “Reformimi Britanik”, Richard Tice deklaroi se shqiptarët që bëjnë rrugëtimin e gjatë nëpër Evropë deri në brigjet franceze nuk vrapojnë për jetën e tyre. Ata kanë agjenda të tjera.

Lajmi u bë i ditur nga botimi “Mail on Sunday”, duke cituar reagimin e politikanit britanik.

Sipas tij, gjatë gjithë kësaj kohe, një ushtri politikanësh, avokatësh dhe dashamirësish të së majtës kanë përsëritur se shumica dërrmuese e njerëzve që bëjnë kësi udhëtimesh të rrezikshme po ikin në mënyrë të dëshpëruar nga lufta, persekutimi dhe terrori.

Kjo, shtoi Tice, është një narrativë që i përshtatet qeverisë, duke luajtur me bujarinë dhe dhembshurinë e popullit britanik.

“E vërteta e pakëndshme? Pothuajse 40 për qind vijnë nga Shqipëria. Po, 13 për qind vijnë nga Afganistani dhe 6 për qind nga Siria”, theksoi politikani britanik.

Tice i adresohet qeverisë britanike duke e pyetur se pse e ka fshehur këtë informacion.

“Nëse këta njerëz nuk po ikin me të vërtetë për të shpëtuar jetën e tyre, atëherë nuk i takon taksapaguesve britanikë t’i mbështesë ata”, vijon kreu i “Reform UK”.

Shqipëria, nënvizoi Tice, nuk është vend luksi.  Ai tregon se shumë banorë jetojnë nën kufirin e varfërisë dhe korrupsioni është i përhapur.

Por megjithatë, është një vend i qetë me një ekonomi në rritje të shpejtë.

“Ajo është gjithashtu anëtare e NATO-s dhe po aplikon për t’u bashkuar me BE-në”, ravijëzon politikani.

Tice e lidh situatën me përhapjen e “bandave kriminale shqiptare”, të cilat janë ndër më të mëdhatë dhe më të njohurat në Britaninë e Madhe, sipas tij.

Madje, kreu i “Reform UK” kërkon nga autoritetet që të publikojnë vendin e origjinës së emigrantëve çdo muaj në mënyrë që askush të mos ketë iluzione.

“Ne duhet të ndajmë menjëherë informacionin për pikat e nisjes me policinë franceze dhe ato të dhëna gjithashtu duhet të publikohen”, deklaroi ai në përmbyllje./albeu/

 

Shpërndaje në rrjete sociale