Vatikani bëri të ditur se të hënën 12 janar 2026, Papa Leoni XIV ka zhvilluar një takim me lideren e opozitës venezuelane dhe fituesen e Çmimit Nobel për Paqen, Maria Corina Machado, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e bisedës. Takimi u përfshi në axhendën zyrtare të Papës për ditën e hënë, të publikuar në buletinin e përditshëm të Selisë së Shenjtë, por nuk ishte përmendur në një njoftim të mëparshëm për shtyp lidhur me programin e tij ditor.
Ditët e fundit, pas operacionit që çoi në kapjen e presidentit venezuelan Nicolás Maduro, Papa Leoni XIV ka bërë thirrje që Venezuela të mbetet një vend i pavarur. Në një fjalim të rëndësishëm mbi politikën e jashtme, të mbajtur të premten, Ati i Shenjtë dënoi përdorimin e forcës ushtarake si mjet për arritjen e qëllimeve diplomatike dhe kërkoi respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Venezuelë.
Maria Corina Machado, ish-anëtare e Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, ishte përjashtuar nga kandidimi në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024 nga autoritetet e regjimin e Maduros. Pas këtij vendimi, ajo mbështeti një kandidat alternativ, i cili nga shumë vëzhgues u konsiderua fitues i zgjedhjeve, pavarësisht pretendimit për fitore nga ana e Maduros.
Vizita e Machado-s në Vatikan përkoi me ditën e lirimit të Alberto Trentinit dhe Mario Burlòs, përkatësisht punonjës humanitar nga Veneto dhe sipërmarrës nga Piemonte, të cilët kishin qenë të ndaluar në Venezuelë për 423 ditë. Lajmi për lirimin e tyre u konfirmua në orët e paradites nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.
Ndërkohë, liderja e opozitës venezuelane pritet të zhvillojë një takim «të martën ose të mërkurën» me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Lajmi u bë i ditur nga vetë presidenti amerikan, i cili megjithatë ka deklaruar se “përjashton mundësinë që Machado të ketë një rol udhëheqës në Venezuelë”.
Takimi i Machado-s me Papën dhe kontaktet e saj në Shtetet e Bashkuara vijnë në një moment delikat për Venezuelën, e cila po përballet me tensione të thella politike, ndërkombëtare dhe institucionale, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me vëmendje zhvillimet në vend.
Tërmet në Itali, banorët dalin në rrugë të frikësuar, pezull...
Rritet bindshëm numri i turistëve në Kosovë
Maqedonci takohet me komandantët e NATO-s dhe KFOR-it, fokus...
SHBA, thirrje amerikanëve: Largohuni nga Irani tani!
Laporta jep një arsye pse lojtarët madrilen nuk e bën gardën...
Mbyllet për media seanca në rastin e Rozeta Hajdarit