Pas rrëzimit të qeverisë franceze, opozita sot dorëzon mocionin për shkarkimin e Macronit

07:10 | 9 Shtator 2025
E.H

Kryeministri francez François Bayrou pritet të martën (9 shtator) t’i paraqesë dorëheqjen presidentit Emmanuel Macron, pasi nuk ka votëbesimin e Parlamentit.

Ishte vetë Bayrou që kërkoi një mocion votëbesimi për veten dhe qeverinë e tij. Të hënën i dolën kundër 364 anëtarë të Asamblesë Kombëtare dhe 194 e mbështetën kryeqeveritarin, i cili e drejton ekzekutivin prej dhjetorit 2024.

Para presidentit Macron, Bayrou pritet të kërkojë një pasardhës të ri ose të thërrasë zgjedhjet e parakohshme.

“Mund të hiqni qafe qeverinë, por nuk e hiqni dot qafe realitetin. Mali me borxhe i Francës rrezikon të skllavërojë rininë. Borxhi çdo vit sa vjen e rritet,” apeloi kryeministri Bayrou në fjalimin përpara votëbesimit të tij.

Kriza e borxheve ka qenë nyja ku është mbledhur gjithë tensioni disamujor i politikës franceze. Mocioni i votëbesimit për këtë çështje, jo i mosbesimit, u thirr nga Bayrou duke qenë se 74-vjeçari e shihte të nevojshme miratimin e buxhetit të propozuar prej tij për 2026-ën, që do të ulet me 44 miliardë euro për të zbutur deficitin nga 5,4 për qind e prodhimit të brendshëm bruto në 4,6 për qind deri në vitin 2026.

“Prognoza jonë jetike është në rrezik. Franca nuk ka pasur një buxhet të balancuar prej 51 vitesh,” deklaroi Bayrou, ndërsa shtoi se situata është përkeqësuar pas viteve 2020 si pasojë e goditjeve të vazhdueshme, siç ishte pandemia e koronavirusit dhe tanimë lufta në Ukrainë, e cila ka rritur çmimet dhe inflacionin.

Bayrou është kryeministri i tretë francez që qëndron në detyrë më pak se një vit dhe i katërti që jep dorëheqjen brenda tri viteve. Para tij, Michel Barnier u emërua nga presidenti Macron shtatorin e kaluar, por u largua nga qeveria pas tre muajsh, ndërsa kryeministri më i ri në historinë e vendit, 34-vjeçari Gabriel Attal, ishte paraardhësi i tij në detyrë për gati 9 muaj, prej janarit 2024.

Partitë opozitare kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kryesisht nga Marine Le Pen. Shefja e ekstremit të djathtë tha se votimi i së hënës ishte fundi i rrugës së “qeverisë fantazmë”. Ajo theksoi se nuk do të kërkojë dorëheqjen e presidentit Macron, por kërkoi që kryetari i shtetit ta shkrijë parlamentin “në interes të vendit”, pasi ai nuk e ka shumicën.

“Nëse nuk e shkrin parlamentin, Emmanuel Macron po e bllokon vendin. Një shtet i madh si Franca nuk mund të jetojë me një qeveri prej letre, sidomos në një botë të trazuar dhe të rrezikshme. Nëse kryhet shkrirja, ne do ta pranojmë verdiktin e kutive të votimit. [Çdo kryeministër i ri pro-Macron] do të nënkuptonte stanjacion për vendin dhe nuk do ta kalonte as fazën e debatit për buxhetin,” deklaroi Le Pen.

Ndërkohë partia Franca e Papërkulur tha se të martën do të dorëzojë një mocion për shkarkimin e presidentit Macron, që nuk ka ndodhur asnjëherë prej formimit të sistemit të ri politik në vitin 1958. Mathilde Panot, zëvendëskryetarja e partisë, tha: “Bayrou kërkoi një moment vërtetësie. Mendoj se e mori. Tani po i japim Macron dy zgjedhje. Ose të shkarkohet, ose të dorëhiqet.“/rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme