Një anëtar shpëtohet pas rrëzimit të aeroplanit të SHBA-së në Iran

21:33 | 3 Prill 2026
Q L

Një anëtar i ekuipazhit është shpërtuar nga forcat amerikane, pasi një aeroplan luftarak amerikan u rrëzua në Iran, tha një zyrtar amerikan për Radion Evropa e Lirë. Operacioni i kërkim-shpëtimit për anëtarin e dytë po vazhdon.

Kjo është hera e parë që një fluturake e ushtrisë amerikane është rrëzuar nga Irani që nga nisja e luftës më 28 shkurt.

Njoftimet nga zyrtarë amerikanë vijnë disa orë pasi Irani tha më 3 prill se ka rrëzuar një aeroplan të SHBA-së dhe ka ofruar shpërblim për shtetasit iranianë që kapin anëtarët e ekuipazhit.

Zyrtarë amerikanë thanë për REL-in se aeroplani i rrëzuar ishte i llojit F-15E, me dy ulëse.

CBS, Reuters, dhe media izraelite, duke cituar zyrtarë amerikanë, po ashtu raportuan se është shpëtuar një anëtar i ekuipazhit. Disa media raportuan se forcat për operacione speciale janë përfshirë në përpjekjet e shpëtimit.

Ushtria amerikane nuk ka komentuar, ndërkaq Shtëpia e Bardhë tha vetëm se presidenti amerikan, Donald Trump, është informuar për këtë çështje.

Ndaras, një zyrtar tjetër amerikan tha më vonë se një tjetër aeroplan luftarak i SHBA-së u rrëzua në Gjirin Persik dhe piloti i vetëm u shpëtua.

Nëse do të kapej ndonjë pilot amerikan nga forcat iraniane, kjo do të rriste seriozisht tensionet, që veçse janë të larta, dhe me gjasë do të ndërlikonte përpjekjet e SHBA-së, që po synon të shkatërrojë plotësisht asetet ushtarake të Teheranit dhe të detyrojë regjimin që të pajtohet për kushtet për paqe që i ka paraqitur presidenti Trump.

Izraeli ka shtyrë sulmet e planifikuara në Iran në mënyrë që të mos ndërhyjë në përpjekjet për shpëtimin e pilotit amerikan, thanë zyrtarët perëndimorë për gazetarët.

Strategjia e kërkim-shpëtimit

I pyetur se çfarë do të mund të përfshijë një operacion i mundshëm i kërkim-shpëtimit, Richard Allen Williams, kolonel në pension i ushtrisë amerikane, dhe ish-zyrtar i NATO-s, i tha REL-it se misione të tilla janë zakonisht mirë të koordinuara dhe të mbrojtura.

Ai shpjegoi se komandantët me shumë gjasa do të dërgonin një aeroplan të veçantë për mbikëqyrjen ajrore të operacionit, i mbështetur nga mjete të sigurisë ajrore dhe forca tokësore të afta të sigurojnë zjarr nëse nevojitet.

Këto njësite do të punonin për të siguruar vendin e rrëzimit, ndërsa ekipet e shpëtimit do të ndiqnin sinjalin GPS të fluturakes së rrëzuar.

Ai shtoi se aeroplanë shtesë dhe burime rezervë do të mbeteshin në gatishmëri për të reaguar shpejt ndaj çdo përshkallëzimi ose ndërlikimi.

Reuters, The New York Times, The Wall Street Journal dhe media të tjera po ashtu kanë cituar burime të paidentifikuara që kanë raportuar për rrëzimin e aeroplanit dhe për kërkimin për ekuipazhin.

“Forcat ushtarake kanë nisur një operacion të kërkimit për të gjetur pilotin amerikan që e sulmuam më herët gjatë ditës së sotme”, raportoi agjencia e lajmeve iraniane, Fars, e cila është e afërt me Gardën Revolucionare Islamike.

Përderisa aeroplanë ushtarakë amerikanë janë rrëzuar ose janë goditur nga raketa apo dronë iranianë ndërsa ndodheshin në tokë që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, rrëzimi i aeroplanit luftarak, nëse konfirmohet zyrtarisht, do të ishte rasti i parë i raportuar i një avioni luftarak amerikan të rrëzuar nga zjarri armik.

Më 12 mars, gjashtë pjesëtarë të forcave amerikane humbën jetën kur një aeroplan për furnizim me karburant, i llojit KC-135, u rrëzua pas një përplasjeje në ajër me një tjetër aeroplan karburanti.

Ndërkaq më 27 mars, një sulm me raketa dhe dronë iranian goditi Bazën Ajrore Princi Sulltan në Arabinë Saudite, duke plagosur të paktën 12 ushtarë amerikanë dhe duke dëmtuar rëndë të paktën dy aeroplanë KC-135 të mbushjes ajrore.

Tre aeroplanë McDonnell Douglas F-15E Strike Eagle të Forcës Ajrore të Shteteve të Bashkuara u rrëzuan mbi Kuvajt më 2 mars, pasi u goditën gabimisht nga forcat e Kuvajtit. Gjashtë pjesëtarët e ekuipazhit shpëtuan, pasi dolën nga fluturakja me parashuta.