Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin Grand Blanc të Michiganit, ku një burrë ka sulmuar një kishë të mbushur me besimtarë, duke shkaktuar një bilanc të rëndë viktimash.
Sipas autoriteteve lokale, sulmuesi, i identifikuar si Thomas Jacob Sanford, 40 vjeç, një ish-marins amerikan nga qyteti Burton, ka përplasur automjetin e tij përmes hyrjes kryesore të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ka hapur zjarr me një armë automatike dhe më pas i ka vënë flakën ndërtesës.
Si pasojë e këtij akti të dhunshëm, të paktën katër persona kanë humbur jetën, ndërsa të paktën tetë të tjerë janë plagosur.
Policia njoftoi se dy nga viktimat humbën jetën në vend si pasojë e të shtënave, ndërsa tetë persona u transportuan me urgjencë në spital. Më vonë gjatë ditës, ekipet hetimore gjetën edhe dy trupa të pajetë në rrënojat e djegura të kishës, e cila ende nuk ishte pastruar plotësisht dhe mund të përmbajë viktima të tjera.
Shefi i Policisë së Grand Blanc Township, William Renye, deklaroi në një konferencë për shtyp se ka ende persona të pagjetur, ndërsa operacionet e kërkimit dhe hetimeve janë në vazhdim.
Zyrtarë të Byrosë për Alkool, Duhan, Armë zjarri dhe Eksplozivë (ATF) bënë të ditur se autori kishte përdorur një substancë përshpejtuese, më së shumti benzinë, për të nxitur flakët që përfshinë objektin, ndërsa në vendngjarje janë gjetur edhe eksplozivë. FBI ka marrë përsipër hetimin, duke e cilësuar këtë si një “akt dhune të qëllimshëm dhe të synuar”.
Sipas autoriteteve, në kishë ndodheshin qindra persona në momentin e sulmit. Dy oficerë policie arritën në vendngjarje brenda 30 sekondash nga telefonatat e para emergjente dhe u përballën me sulmuesin në një shkëmbim zjarri, duke e neutralizuar atë rreth tetë minuta pas fillimit të incidentit, raporton Reuters.
Policia ka nisur kontrollin e banesës dhe të pajisjeve elektronike të Sanford për të identifikuar motivin e mundshëm të sulmit. Sipas të dhënave ushtarake, Sanford kishte shërbyer si marins nga viti 2004 deri në vitin 2008 dhe ishte veteran i luftës në Irak.
Ngjarja në Michigan ndodhi më pak se 14 orë pas një tjetër sulmi të armatosur në Southport, Karolina e Veriut, ku një tjetër ish-marins 40-vjeçar dhe veteran i Irakut, i identifikuar si Nigel Max Edge, hapi zjarr nga një varkë ndaj një bari në bregdet, duke vrarë tre persona dhe plagosur pesë të tjerë. Edge është akuzuar për tre vrasje të shkallës së parë dhe pesë tentativa për vrasje.
Sipas dokumenteve gjyqësore federale, ai kishte paditur më herët qeverinë amerikane duke pretenduar se kishte pësuar lëndime të rënda gjatë shërbimit, përfshirë dëmtim truri traumatik. Dokumentet tregojnë gjithashtu se ai kishte ndryshuar emrin, nga Sean William DeBevoise në Nigel Max Edge, shkruan Reuters.
Ngjarjet e fundit kanë rihapur debatin në lidhje me sigurinë publike, shëndetin mendor të veteranëve të luftës dhe çështjen e dhunës me armë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Turistët në Shqipëri sollën 4.4 miliardë euro, shqiptarët sh...
Haxhiu fton qytetarët të marrin pjesë në tubimin e LVV-së ne...
Barcelona raportohet në La Liga nga një klub tjetër për tran...
Konjufca: Lotët e nanës Rukë janë lot të dhimbjes por edhe k...
Parashikimi i motit për nesër
Momente tensionuese në shtëpi, Edi kupton të vërtetën çka th...