Mianmar, shkon në 557 numri i viktimave në protestat kundër grusht shtetit

23:06 | 4 Prill 2021

Është rritur në 557 numri i personave që kanë humbur jetën në Mianmar si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë në protestat që zhvillohen kundër grushtit ushtarak dhe arrestimit të anëtarëve të qeverisë së zgjedhur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe 7 humbje të jetëve të tjera, duke rritur në të paktën 557 numrin e viktimave civile.

Në raport thuhet se në vend nën arrest ndodhen 2.658 persona dhe se ka një urdhër-arresti për 235 persona të tjerë.

Protestë kundër grushtit të shtetit me vezët e pashkëve

Në vend vazhdojnë protestat kundër grushtit të shtetit.

Protestuesit në Yangon organizuan një protestë me vezë me rastin e Pashkëve. Mbi vezët e vendosura nëpër rrugët në qendër të qytetit u shkruan slogane: “Kemi nevojë për ushtri federale” dhe “Jo Juntës”.

Me pjesëmarrjen e shumë personave janë zhvilluar marshime kundër grushtit të shtetit edhe në rajonet si Magway, Mandalay dhe Bago.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grusht shtetit me kërkesën për kthimin në demokraci. Në ndërhyrjet e armatosura të forcave të sigurisë kanë humbur jetën mbi 550 protestues.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara