Dhjetra mijëra persona në Meksikë i janë drejtuar rrugëve për të protestuar kundër politikave të emigracionit të presidentit Donald Trump dhe planit të tij për ndërtimin e një muri kufitar.
Protestues në dhjetra qytete meksikane, të veshur në të bardha, kanë valëvitur flamuj meksikanë dhe pankarta anti-Trump.
Organizatorët thanë se ata kërkonin të dërgonin mesazhin se Meksika është e bashkuar kundër presidentit amerikan.
Nuk munguan as kritikat ndaj presidentit meksikan Enrique Pena Nieto, i cili nuk ia ka dalë të luftojë korrupsionin dhe dhunën në vend.
Aktivistja dhe presidentja e grupit “Meksikanët kundër korrupsionit”, Maria Amparo rikujtoi se shoqëria amerikane është e përbërë nga emigrantët dhe vijon të përbëhet nga emigrantët.
Për këtë arsye, ajo thotë se politikat e Trump ecin kundër këtyre parimeve, kundër pluralizmit. Një tjetër protestues, Hector Aguilar, e quajti Trump “të çmendur” dhe ritheksoi se meksikanët janë kundër ndërtimit të murit dhe dëbimit të tyre sikur të ishin armiqtë e Shteteve të Bashkuara.
Plani i presidentit Trump për një mur kufitar me Meksikën, ka zemëruar shumë banorë të këtij vendi dhe vetë presidenti Nieto ka refuzuar vazhdimisht të paguajë për ndërtimin e një muri të tillë.
Sulmet e Trump ndaj emigrantëve kanë krijuar frikë në komunitetin meksikan që jeton në Shtetet e Bashkuara, që tashmë përballen me kërcënimin e dëbimit nën masat e reja të presidentit.
Javën e kaluar, republikani nënshkroi tre urdhra ekzekutivë që kanë në fokus të tyre kartelet kriminale dhe ato të drogës, me qëllim dëbimin e emigrantëve ilegalë që janë përfshirë në të tilla krime.
Numri 129 i takon AAK për zgjedhjet e ardhshme
Lëvizja Vetëvendosje garon me numrin 116 në zgjedhjet e 28 d...
BE me hezitime për heqjen e masave ndaj Kosovës para zgjedhj...
Sergio Ramos luan ndeshjen e fundit në Meksikë, tani i lirë ...
Koha e duhur për municione? Kosova futet në lojë
Policia arrin t’i arrestoj dy të dyshuar në Gjilan, në filli...