Kryeministrja e Zelandës së Re nuk pendohet pse dha dorëheqje

09:16 | 20 Janar 2023

Jacinda Ardern ka thënë se “nuk pendohet” pse ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministres së Zelandës së Re – vendim që ka shokuar mbështetësit dhe kritikët e saj.

Një ditë pasi ka deklaruar se nuk ka më energji për të udhëhequr, Ardern ka thënë se ka “shumë lloje të emocioneve”, nga mërzia e deri te ndjenja e lehtësimit.

Sondazhet kanë treguar se Partia e saj Laburiste ka sfidë të vështirë për të fituar edhe një mandat në pushtet në zgjedhjet e tetorit.

Ardern ka thënë se nuk do të mbështesë asnjë kandidat publikisht për ta zëvendësuar atë.

Duke folur jashtë aeroportit në Napier, Ardern ka thënë se “ka fjetur mirë, për herë të parë pas një kohe të gjatë”.

Të enjten ajo ka thënë se mezi pret të kalojë më shumë kohë me familjen e saj dhe që të jetë afër vajzës së saj që nis shkollën këtë vit.

Ardern do të largohet zyrtarisht nga pushteti më 7 shkurt, derisa Partia Laburiste do të zgjedhë kryetarin e ri të dielën.

Kryetari i ri i partisë më pas bëhet edhe kryeministër i shtetit.

Chris Hipkins, që aktualisht është pjesë e Qeverisë, konsiderohet kandidati me më shumë gjasa për të fituar./rel

Shpërndaje në rrjete sociale