Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka deklaruar se Evropa nuk do të shantazhohet nga kërcënimet e Presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave lidhur me Grenlandën.
Frederiksen, së bashku me udhëheqës të tjerë evropianë, lëshoi të dielën një deklaratë të përbashkët ku paralajmëruan se një plan i tillë rrezikon të krijojë një “spirale të rrezikshme përkeqësimi” të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.
Mëngjesin e së hënës, Trump deklaroi se NATO i ka thënë Danimarkës prej 20 vitesh se “duhet të largojë kërcënimin rus nga Grenlanda”, duke shtuar se “tani është koha dhe kjo do të bëhet”. Ai ka paralajmëruar vendosjen e taksave të reja ndaj tetë aleatëve të SHBA-së në muajin shkurt, nëse ata kundërshtojnë propozimin e tij për marrjen e territorit autonom danez.
Presidenti amerikan këmbëngul se Grenlanda është kritike për sigurinë e SHBA-së dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e marrjes së saj me forcë, një qëndrim që ka shkaktuar kritika të gjera ndërkombëtare.
Në një postim në Truth Social, Trump përsëriti se NATO i ka kërkuar Danimarkës “të largojë kërcënimin rus nga Grenlanda” për dy dekada, duke shtuar se Kopenhaga “nuk ka qenë në gjendje të bëjë asgjë për këtë”.
Tarifat e reja, sipas Trump, do të vendosen ndaj Danimarkës, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Norvegjisë, Suedisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në deklaratën e tyre të përbashkët, tetë vendet theksuan se “kërcënimet me tarifa dëmtojnë marrëdhëniet transatlantike” dhe riafirmuan se “qëndrojnë në solidaritet të plotë me Mbretërinë e Danimarkës dhe popullin e Grenlandës”. Ato nënvizuan gjithashtu përkushtimin për forcimin e sigurisë së Arktikut si një interes i përbashkët transatlantik, në kuadër të NATO-s.
“Ne jemi të gatshëm të angazhohemi në dialog, të bazuar në parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial, të cilat i mbështesim fuqimisht”, thuhet në deklaratë.
Në një postim të veçantë në Facebook, Frederiksen shkroi se Danimarka dëshiron bashkëpunim dhe jo konflikt, duke shtuar se mesazhet nga pjesa tjetër e kontinentit janë të qarta: “Evropa nuk do të shantazhohet”. Ajo theksoi se është edhe më e rëndësishme që vendet evropiane të qëndrojnë të vendosura në vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar komuniteti evropian.
Ndërkohë, kryeministri britanik Sir Keir Starmer bëri të ditur se të dielën ka zhvilluar biseda telefonike me Frederiksen, me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, përpara se të fliste me Presidentin Trump./rtsh
Tërhiqet short për çerekfinalet e Copa del Rey, Barcelona pë...
Aksidenti me tre të vdekur në Qubrel të Skenderajt, mbi 6 vj...
AUV bllokon dhe tërheq nga tregu qumështin për foshnje Nestl...
Scott Bamforth MVP i javës në elitën e basketbollit kosovar
Kurti udhëton drejt Davosit në Zvicër
Nis mbledhja e Kryesisë së LDK-së, priten zhvillime të reja