Krizë politike në Rumani, 7 ministra japin dorëheqjen, socialdemokratët largohen nga qeveria pro-europiane

19:58 | 23 Prill 2026
E.G

Një zhvillim i fortë politik ka tronditur Rumaninë të mërkurën. Shtatë ministra nga Partia Socialdemokrate (PSD) kanë dhënë dorëheqjen, pasi partia vendosi t’i mos mbështesë më kryeministrit Ilie Bolojan, duke i hapur rrugën kështu një krizë të re qeveritare.

Sipas mediave vendase, dorëheqjet u dorëzuan këtë të enjte në Pallatin Victoria, selia e qeverisë rumune, menjëherë pas vendimit politik të PSD-së për t’u distancuar nga kreu i ekzekutivit. Në një deklaratë zyrtare, partia e bëri të qartë se ky është hapi formal që vulos ndarjen me kryeministrin.

“Dorëheqjet përfaqësojnë aktin politik përmes të cilit formalizohet vendimi për të tërhequr mbështetjen për kryeministrin Ilie Bolojan”, thuhet në reagimin e PSD.

Megjithatë, lëvizja nuk do të thotë bllokim total i institucioneve. Socialdemokratët kanë lënë të hapur një derë bashkëpunimi: deri në krijimin e një qeverie të re, ata do të vazhdojnë të japin mbështetje në Parlament për miratimin e ligjeve kyçe, sidomos për projektet që financohen nga fondet e Bashkimit Europian.

Ndërkohë, në skenën politike po flitet hapur për një qeveri minorance si zgjidhja e radhës, në një moment kur vendi po përballet me një valë të re tensioni politik.

Kjo krizë nuk erdhi pa paralajmërim. Më 20 prill, PSD kishte njoftuar publikisht vendimin për të tërhequr mbështetjen ndaj Bolojan, duke çuar në zhvillimet e fundit.

Kujtojmë që Ilie Bolojan mori drejtimin e qeverisë në qershor 2025, pasi siguroi votëbesimin në Parlament por përplasjet me partitë e ekstremit të djathtë mbi kufizimet buxhetore ishin të përsëritura.