Kina përsëri fut në karantinë qytetin e Wuhanit, lejohet vetëm një pjesëtar nga familja të dalë jashtë

16:24 | 3 Gusht 2021

Kina ka izoluar përsëri pjesë të qytetit të Wuhan që vitin e kaluar ishte epiqendra e koronavirusit.

Autoritetet njoftuan të martën (3 gusht) se do të testojnë të 11 milionë banorët e qytetit pasi druhen se aty po përhapet varianti Delta i virusit, një nënlloj koronavirusi që është diktuar më parë në Indi.

Wuhan raportoi 7 raste të reja infektimi me kovid-19 pas më shumë se një viti qetësi, mes një grupi punëtorësh emigrantë që banojnë atje.

Në kuadër të udhëzimeve për masa radikale kundër koronavirusit, vizitorët e huaj po detyrohen të karantinohen në godina të posaçme për të paktën 14 ditë, banorë qytetesh të tëra janë mbyllur në shtëpitë e tyre dhe janë ndërprerë disa nga linjat e transportit vendës.

Qytetet e mëdha si Pekini kanë nisur testimin në masë të popullsisë dhe kanë futur në karantinë zinxhirin e kontakteve të personave të infektuar.

Turistët nuk lejohen më të hyjnë në kryeqytet.

Janë mbi 1 milion banorë të qytetit Jangzhu të cilët kanë të drejtë të nxjerrin jashtë shtëpisë vetëm 1 person për të kryer blerjet e nevojshme.

Rregulla të ngjashme aplikohen edhe për provincën qendrore të Wuhanit ku epidemia u përhap së fundmi nisur nga një grup personash që kishin marrë pjesë në një shfaqje teatrale.

61 infeksione të reja u raportuan edhe ditën e martë, dhe 400 në total prej mesit të korrikut.

Nga fillimi i pandemisë, Kina ka regjistruar mbi 93 mijë raste të bartjes së kovidit-19, dhe bilanci i viktimave mbetet i pandryshuar me 4,636 jetë të humbura nga sëmundja infektive.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara