Katari kritikon Izraelin për bombardimet në Gazë

FILE - Palestinians inspect the rubble of the Yassin Mosque destroyed after it was hit by an Israeli airstrike at Shati refugee camp in Gaza City, early Monday, Oct. 9, 2023. (AP Photo/Adel Hana, File)

11:32 | 1 Dhjetor 2023
E.K

Katari tha se po vazhdon përpjekjet për të ringjallur armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – duke shprehur “keqardhje të thellë” për rinisjen e bombardimeve izraelite në Rripin e Gazës.

Katar, që ka luajtur rolin e ndërmjetësuesit, duket se ka veçuar vetëm rolin e Izraelit në rikthimin e dhunës.

Ministria e Jashtme e Katarit tha se “bombardimet e vazhdueshme në Rripin e Gazës në orët e para pas përfundimit të pauzën [së luftimeve], ndërlikojnë përpjekjet ndërmjetësuese dhe përkeqësojnë katastrofën humanitare” në Gazë.

Kjo ministri i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të veprojë menjëherë që të ndalet dhuna”.

Mëngjesin e 1 dhjetorit, Izraeli nisi sulmet ajrore në Rripin e Gazës, pasi marrëveshja njëjavore e armëpushimit përfundoi.

Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi, akuzuan njëri-tjetrin për dështim të arritjes së një pajtimi për zgjatjen e armëpushimit.

Katari ka luajtur rol kyç në ndërmjetësimin e marrëveshjes së parë të armëpushimit, që hyri në fuqi më 24 nëntor. Marrëveshja fillestare ishte paraparë të zgjaste katër ditë, por ajo u zgjat deri më 1 dhjetor, me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit.

Marrëveshja parashihte lirimin e pengjeve që Hamasi mori gjatë sulmit fillestar të 7 tetorit, në këmbim të lirimit të palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite.

Gjatë shtatë ditëve armëpushim u liruan 83 izraelitë, përfshirë persona me shtetësi të dyfishtë. Po ashtu, 24 pengje të tjerë – 23 tajlandezë dhe një filipinas – u liruan, përfshirë edhe disa burra.

Është e paqartë se në mesin e pengjeve të mbetura në Gazë sa prej tyre janë gra e sa ushtarë.
Izraeli ka thënë se afër 125 burra janë ende duke u mbajtur peng.

Lufta midis Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 240 të tjerë.

Izraeli u kundërpërgjigj me një fushatë të pareshtur ajrore dhe tokësore në Gazë, duke vrarë mbi 13.300 persona. Si pasojë e luftimeve, mbi tri e katërta e popullsisë prej 2.3 milionë banorëve në Gazë është zhvendosur.

Sulmet fillestare të Izraelit u përqendruan në veri të Gazës, por me rinisjen e luftimeve, zyrtarët izraelitë kanë paralajmëruar banorët në jug të territorit palestinez që të largohen, duke sugjeruar se Izraeli po e zgjeron ofensivën e saj edhe në jug./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme