Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar se përdorimi i aseteve të ngrira ruse mbetet një opsion për financimin e Ukrainës, nëse kryeministri hungarez Viktor Orbán vazhdon të bllokojë huanë prej 90 miliardë eurosh pas zgjedhjeve të 12 prillit.
Gjatë një vizite në Kiev, ku nderoi viktimat e masakrës së Buçës, Kallas tha se BE-ja duhet të rikthehet te “plani A” – përdorimi i aseteve të ngrira ruse – nëse dështon “plani B”, që është huaja prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.
“Huanë për të cilën po punojmë tani, për të cilën ramë dakord në fund të vitit të kaluar, dua t’ju kujtoj se ajo ishte në fakt plani B. Plani A ishte përdorimi i aseteve të ngrira”, tha Kallas.
Ajo shtoi se nëse kjo paketë financiare nuk kalon, Bashkimi Evropian duhet të rikthejë në shqyrtim opsionin e parë, duke theksuar se Ukraina duhet të marrë patjetër mbështetjen financiare për t’i bërë ballë agresionit rus.
Kallas i bëri këto komente në kohën kur Hungaria vazhdon të mbajë të bllokuar huanë prej 90 miliardë eurosh, të cilën BE-ja e kishte paraparë si alternativë pasi dështoi përpjekja për përdorimin e rreth 210 miliardë eurove asete të Bankës Qendrore Ruse të ngrira nën sanksione.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, i cili ishte pranë saj në Kiev, tha se asetet e bllokuara ruse “nuk janë jashtë tavolinës” dhe nuk duhet të hiqen nga agjenda derisa Rusia të paguajë reparacionet.
Hungaria e ka kushtëzuar miratimin e huasë me rifillimin e furnizimeve me naftë përmes naftësjellësit sovjetik Druzhba, i cili ka mbetur jashtë funksionit që nga fundi i janarit. Orbán e ka bërë të qartë qëndrimin e tij me deklaratën: “Pa naftë, pa para”.
Ky qëndrim ka shkaktuar pakënaqësi të madhe në mesin e shteteve anëtare të BE-së, të cilat e konsiderojnë si tërheqje nga marrëveshja e arritur në dhjetor dhe si pengesë serioze për ndihmën urgjente ndaj Ukrainës.
Ndërkohë, Komisioni Evropian ka ofruar të organizojë inspektimin e naftësjellësit Druzhba dhe të mbulojë kostot e riparimit me fonde të BE-së, por procesi ende nuk ka nisur për shkak të procedurave teknike të sigurisë, sipas autoriteteve ukrainase.
Megjithatë, pavarësisht deklaratës së Kallas, rikthimi te opsioni i përdorimit të aseteve ruse shihet me skepticizëm në disa kryeqytete evropiane, veçanërisht në Belgjikë, e cila mban pjesën më të madhe të këtyre fondeve dhe ka paralajmëruar për pasoja ligjore dhe financiare.
Më herët këtë muaj, kryeministri belg Bart De Wever e përjashtoi një mundësi të tillë, duke thënë se “huaja duhet të realizohet, sepse është vendosur politikisht dhe duhet të zbatohet”. / Burimi: Euro News
Hoffenheimi u jep zemër treshes dardane pas humbjes me Turqi...
“Kosova na vuri shumë në vështirësi, fat i keq që vetëm një ...
Agim Ademi: Gjithmonë krenarë me gladiatorët tanë dardanë, d...
Italia mbetet jashtë Botërorit për të tretën herë radhazi, B...
Muriqi: Nuk më vijnë fjalët, po më dhimbset i gjithë ekipi d...
Abdixhiku pas ndeshjes: Krenar me djemtë tanë, do t’ia dalim...