Jeff Bezos dyshohet se ka gënjyer Kongresin, rrezikon ndjekjen penale

01:17 | 19 Tetor 2021

Drejtuesit e Amazon përfshirë themeluesin Jeff Bezos mund të kenë mashtruar, ose gënjyer Kongresin amerikan për praktikat e biznesit të firmës, kanë thënë ligjvënësit kryesorë amerikanë.

Anëtarët e Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve thanë se po shqyrtonin mundësinë që për këtë rast të nisë një proces penal.

Lëvizja e Kongresit pason një hetim nga Reuters që pretendoi se Amazon kopjoi produktet dhe manipuloi rezultatet e kërkimit në Indi për të rritur shitjet e markave të veta. Amazon mohon me forcë akuzat.

“Amazon dhe drejtuesit e tij nuk e gënjyen, apo keqinformuan komitetin. Ne kemi mohuar akuzat dhe kemi kërkuar që mediat që kanë përhapur lajmet për praktika të gabuara nga Amazon të korrigjonë shkrimet e tyre”, tha një zëdhënës i kompanisë.

Të hënën, pesë anëtarë të Komitetit Gjyqësor të Dhomës Amerikane i shkruan shefit të Amazon Andy Jassy, i cili pasoi Bezos në korrik.

Ata thanë se “raportimi i besueshëm” nga Reuters dhe artikujt e fundit në media të tjera “kundërshtonin drejtpërdrejt dëshminë nën betim të Jeff Bezos dhe drejtuesve të tjerë të Amazon para Kongresit.

“Në rastin më të mirë, ky raport konfirmon se përfaqësuesit e Amazon e mashtruan Komitetin. Në rastin më të keq, ai demonstron se ata mund të kenë gënjyer Kongresin në shkelje të mundshme të ligjit federal penal”, thuhet në letër.

Amazon dhe kompanitë e tjera të mëdha amerikane janë pjesë e një hetimi masiv të nisur nga Kongresi amerikan pas dyshimeve se ato marrin dhe përdorin në mënyrë të paligjshme të dhënat e siguruara për klientët e aplikacioneve të treta.

Amazon dyshohet për praktika monopoli në treg, duke u shfaqur klientëve produktet e veta përmes një algoritmi favorizues. Por, kompani thotë se algoritmi nuk favorizon kompaninë, por thjesht i sugjeron klientit produkte të ngjashme me ato që ai kërkon, pavarësisht nga emri i kompanisë që e ka prodhuar, apo e shet./gsh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara