Izraeli sulmon centralet bërthamore të Iranit, Teherani paralajmëron hakmarrje

07:34 | 13 Qershor 2025
E.K

Izraeli ka nisur sulme ajrore në të gjithë Iranin ndërsa synimi kryesor ka qenë “zemra” e programit bërthamor të Iranit.

Si pasojë e këtyre sulmeve izraelite, ka humbur jetën mëngjesin e kësja të premë (13 qershor) Gjeneral Major Hossein Salami, kreu i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të vendit.

Presidenti i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se sulmet janë një operacion ushtarak i synuar për të zmbrapsur kërcënimin iranian ndaj mbijetesës së Izraelit.

Ndërkaq, udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar se Izraeli do të përballet me “ndëshkim të rëndë” për sulmet e sotme.

Khamenei konfirmoi se një numër komandantësh dhe shkencëtarësh janë vrarë në sulmet ajrore, të cilat Izraeli tha se goditën objektiva bërthamore, në një deklaratë të lëshuar nga agjencia shtetërore iraniane e mediave, IRNA.

Khamenei tha se Izraeli kishte kryer një “krim në agim” dhe pretendoi se kishte goditur zonat e banuara.

“Regjimi duhet të presë një ndëshkim të rëndë. Në sulmet e armikut, një numër komandantësh dhe shkencëtarësh u martirizuan. Pasardhësit dhe kolegët e tyre, me vullnetin e Zotit, do të vazhdojnë menjëherë detyrat e tyre pa ndërprerje. Me këtë krim, regjimi sionist i ka përgatitur vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm – dhe me siguri do ta marrë atë.”

Edhe Forcat e Armatosura të Iranit kanë reaguar menjëherë mbi sulmin e kryer nga Izraeli mbi centralin bërthamorë duke paralajmëruar hakmarrje.

Zëdhënësi i Forcave të Armatosura të Iranit, Gjenerali i Brigadës Abolfazl Shekarchi, tha se SHBA-ja dhe Izraeli do të “paguanin shtrenjtë”, pavarësisht pohimeve të Uashingtonit se nuk ishte përfshirë.

“Republika Islamike e Iranit patjetër do të hakmerret dhe armiku do të paguajë një çmim të rëndë”, tha Shekarchi për median shtetërore iraniane IRNA. Izraeli dhe SHBA-të “do ta paguajnë shtrenjtë dhe do të marrin një goditje të rëndë”, tha ai.

Ai tha se zonat e banuara ishin goditur nga sulmet dhe se forcat e armatosura janë në terren në gatishmëri të plotë./rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme