Irani kundërshton vendet Europiane, kundërshton përdorimin e bazave të tyre për sulme amerikane

Flamuri iranian shihet në Ambasadën e Republikës Islamike të Iranit në Tiranë, Shqipëri, 8 shtator 2022.

23:26 | 30 Korrik 2026
E.G

Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të rriten, ndërsa Irani u ka bërë thirrje disa vendeve europiane të mos lejojnë përdorimin e bazave të tyre ushtarake për sulme të mundshme amerikane kundër Republikës Islamike.

Gjatë një bisede me homologun qipriot, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi se lejimi i përdorimit të territorit për akte ushtarake do të konsiderohej pjesëmarrje e drejtpërdrejtë në një agresion ndaj Iranit.

Sipas Teheranit, Qipro ka marrë garanci nga Mbretëria e Bashkuar se bazat ushtarake në ishull nuk do të përdoren kundër asnjë shteti, përfshirë Iranin.

Në një tjetër bisedë me ministren e Jashtme të Bullgarisë, Araghchi kërkoi rishikimin e vendimit që lejon avionët ushtarakë amerikanë të përdorin një bazë ajrore bullgare për operacione në Lindjen e Mesme. Ai paralajmëroi se Irani do të mbrojë interesat dhe sigurinë e vet kombëtare dhe se çdo shtet që mbështet një sulm ndaj Teheranit do të mbajë përgjegjësi për pasojat.

Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike njoftoi se ka goditur bazën ajrore “Ali Al Salem” në Kuvajt, duke pretenduar se ka shkatërruar hangarë dronësh dhe një rezervuar karburanti të përdorur nga ushtria amerikane.

Në të njëjtën kohë, autoritetet egjiptiane konfirmuan se një dron shkaktoi zjarr në dy anije në portin e Damietës, ndërsa përgjegjësia për sulmin mbetet ende e paqartë.

Nga ana tjetër grupi jemenas Huthi mohoi çdo përfshirje në këtë incident dhe deklaroi se nuk ka shënjestruar anije në Egjipt, duke këmbëngulur se lundrimi në Detin e Kuq mbetet i sigurt/rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale