Hungaria është kundër paketës së re të Bashkimit Evropian për Ukrainën – që kap vlerën e 20 miliardë eurove, tha sot ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó në X.
“Nisma e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas ka për qëllim forcimin e pozicionit të Kievit në bisedime, në vend që të nxisë paqen”, tha ai.
“Ne nuk do të mbështesim shpenzimin e parave të taksapaguesve evropianë për të zgjatur luftën”, tha Szijjártó.
“Hungaria gjithashtu nuk do të mbështesë shtrirjen e sanksioneve të BE-së ndaj individëve rusë dhe bjellorusë”, tha ai.
Shërbimi i jashtëm i BE-së paraqiti më herët propozimin për ndihmën shtesë për Ukrainën në shumën e 6 miliardë eurove.
Sipas informacioneve, paratë do të përdoren për furnizimin e 1,5 milionë fishekëve të artilerisë me vlerë 3.5 miliardë euro – 500 milionë euro të tjera do të shkojnë për sistemet e mbrojtjes ajrore dhe 2 miliardë euro për pajisjet dhe stërvitjen e dy brigadave ukrainase.
Propozimi pritet të diskutohet të hënën, në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së, në Bruksel, megjithëse mbetet e paqartë se cilat shtete anëtare do ta mbështesin atë dhe nëse ai mund të zbatohet.
Në Bruksel, mbeti e paqartë pse Szijjártó iu referua një shume prej 20 miliardë eurosh, kur mbështetja e parashikuar ishte në 6 miliardë euro.
Szijjártó shpjegoi qëndrimin e Hungarisë duke thënë se zgjedhja e presidentit të SHBA-së Donald Trump e kishte zhvendosur politikën globale drejt paqes.
“Ne jemi më afër se kurrë drejt një zgjidhjeje, pasi bisedimet e drejtpërdrejta SHBA-Rusi kanë ringjallur shpresën për paqe”, tha ai.
Sipas një zëdhënësi të qeverisë hungareze, Szijjártó ndodhet në Uashington për bisedime me sekretarin e Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent./abcnews.al
PDK-ja në Ferizaj publikon listën me kandidatët për deputetë
Qemajl Aliu betohet për mandatin e dytë si kryetar i Shtimes
Imri Ahmeti betohet si kryetar i Lipjanit për mandatin e kat...
Prishtina 01 synon çerekfinalen në Ligën e Kampionëve të fut...
Putin sfidon Trump? I premton Indisë furnizim me naftë, SHBA...
Shtyhet seanca për Erion Veliajn