Autoritetet hungareze e kanë nisur një hetim lidhur me zhdukjen e disa përbërësve kyç nga tetë avionë luftarakë të tipit MiG-29, dhe nëse këto pjesë mund të kenë përfunduar në Ukrainë.
Burime të Shërbimit hungarez të Radios Evropa e Lirë (REL) thanë se pjesët e zhdukura përfshijnë elektronikën që kontrollon sistemet e navigimit dhe armët e avionëve.
Ato shtuan se zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Hungarisë dyshojnë se vjedhja e pjesëve mund të jetë orkestruar nga persona brenda aeroportit ushtarak të Kecskemetit, ku ndodhen të parkuar avionët e çmobilizuar.
Media hungareze Bikk, e cila raportoi e para për këtë çështje, tha se persona të panjohur i kanë prerë rrethojat e aeroportit, janë futur me makinë në bazë dhe kanë siguruar qasje në avionë.
Mendohet se rreth 20 avionë MiG-29 të epokës sovjetike, të cilët dikur ishin në shërbim të Forcave Ajrore Hungareze, ndodhen aty.
Raportimet se pjesët e zhdukura mund të kenë përfunduar në Ukrainë kanë ngritur shqetësime lidhur me politikën e Qeverisë hungareze për të mos e furnizuar me armë Kievin, i cili po përpiqet t’i zmbrapsë forcat pushtuese ruse.
Burimet i thanë REL-it se Qeveria ka nisur gjithashtu një hetim për të kuptuar se si u zbulua zhdukja e përbërësve kyç të avionëve.
“Një hetim policor është duke u zhvilluar lidhur me thyerjen e sigurisë në aeroportin e Kecskemetit në fund të korrikut, por paralelisht, edhe Forcat e Armatosura Hungareze po kryejnë procedura për të përcaktuar përgjegjësitë individuale. Për shkak të hetimeve, nuk jemi në gjendje të japim më shumë hollësi”, tha Ministria e Mbrojtjes për REL-in.
Ukraina trashëgoi një flotë të vjetruar avionësh sovjetikë MiG dhe Sukhoi dhe është vazhdimisht në kërkim të pjesëve për mirëmbajtjen e tyre.
Flota hungareze e MiG-29 u çmobilizua rreth vitit 2010, kur avionët u tërhoqën nga përdorimi dhe u zëvendësuan nga avionët suedezë JAS 39 Gripen.
Seanca dëgjimore për manipulim votash, i pranishëm Avokati i...
Haradinaj përkujton Isa Boletinin: Pa nismëtarë si ai, Kosov...
Një delegacion i KFOR-it viziton Portin e Durrësit, forcohet...
Përfundon takimi trepalësh SHBA, Rusi dhe Ukrainë në Abu Dha...
Me pranga dhe kokë ulur, të dyshuarit për manipulim me vota ...
Kërkohet paraburgim ndaj 11 të ndaluarve për manipulim votas...