Hong Kongu paralajmëron banorët të shmangin puthjet ndaj kafshëve shtëpiake

12:00 | 5 Mars 2020

Autoritetet e Hong Kongut kanë paralajmëruar njerëzit të shmangin puthjet me kafshët e tyre shtëpiake, pasi një qen u testua pozitiv i dobët nga coronavirusi.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Departamenti i Bujqësisë, Peshkimit dhe Konservimit në Hong Kong, ka deklaruar se rasti i qenit të infektuar mund të jetë transmetim nga ‘njeriu tek kafshët’.

Pronari i qenit ishte infektuar me Covid-19, mirëpo vetë qeni nuk shfaqte simptoma, kanë thënë autoritetet.

Ekspertët mjekësorë, përfshirë Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), kanë hetuar rastin për të përcaktuar nëse qeni ishte infektuar, apo kishte kapur coronavirusin nga një sipërfaqe e kontaminuar, mirëpo pa ndonjë rezultat konkret.

Ata deklaruan se ende nuk ka prova që kafshët shtëpiake mund të infektohen me virus.

“Pronarët e kafshëve shtëpiake nuk duhet të shqetësohen shumë dhe në asnjë rrethanë nuk duhet t’i braktisin ato”, ka deklaruar departamenti i bujqësisë i Hong Kongut.

“Atyre u është kujtuar të miratojnë praktika të mira të higjienës (përfshirë larjen e duarve para dhe pasi të jenë afër tyre, të kujdesen për ushqimin e tyre, të shmangin puthjet ndaj tyre, si dhe të mbajnë një mjedis shtëpiak të pastër dhe higjienik”, tha departamenti.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara