Historia e Colin Powell/ Gjenerali që u bë kryediplomati i parë me ngjyrë në SHBA

00:53 | 19 Tetor 2021

Gjenerali Colin Powell, sekretari i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, vdiq të hënën në moshën 84 vjeçare, si pasojë e ndërlikimeve të krijuara nga COVID-19. Lajmi u njoftua nga familja e tij në një postim në Facebook.

“Ne kemi humbur një bashkëshort, baba, gjysh dhe një amerikan të mrekullueshëm e të dashur”, shkruanin familjarët e tij.

Sipas anëtarëve të familjes zoti Powell ishte plotësisht i vaksinuar kundër virusit. Ata falënderuan stafin mjekësor në Qendrën Mjekësore Kombëtare Walter Reed në Uashington “për trajtimin e kujdesshëm” gjatë ditëve të tij të fundit.

Sipas medias amerikane zoti Powell vuante nga mieloma e shumëfishtë, një kancer i qelizave të bardha të gjakut që dobëson imunitetin. Edhe nëse janë të vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, personat me sistem të dobët imunitar janë më të ekspozuar ndaj sëmundjes.

Zoti Powell ishte diplomati më i lartë i vendit nga viti 2001 deri në 2005 gjatë mandatit të parë të administratës së Presidentit republikan George W. Bush.

Zoti Bush tha se ai dhe ish-Zonja e Parë Laura Bush u “pikëlluan shumë” nga vdekja e zotit Powell.
“Ai ishte një zyrtar i mrekullueshëm publik, duke filluar që nga koha kur ishte ushtar në Vietnam”, tha zoti Bush. “Shumë presidentë u mbështetën tek këshillat dhe përvoja e gjeneralit Powell. Ai vlerësohej aq lart nga presidentët, saqë u nderua dy herë me Medaljen Presidenciale të Lirisë. Ai ishte shumë i respektuar si brenda ashtu edhe jashtë vendit”.

Në një postim në Twitter Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin shkruante: “Do të jetë e pamundur të zëvendësohet gjenerali Colin Powell. Ai ishte një mik personal dhe këshilltar i jashtëzakonshëm i imi. Më dhëmb zemra ndërsa mendoj për humbjen e tij”.

Zoti Powell, një gjeneral me katër yje i ushtrisë dhe një veteran i luftës prej 35 vitesh, ka shërbyer në detyrën e ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm nga viti 1989 në vitin 1993 nën administratën e ish-Presidentin George H.W. Bush, babai i ish-Presidentit George W. Bush dhe për disa muaj nën pasardhësin e tij, Presidentin demokrat Bill Clinton. Para kësaj, ai shërbeu si këshilltar për sigurinë kombëtare nën Presidentin Ronald Reagan, nga viti 1987 në 1989.

Në vitin 1996, zoti Powell po shihte mundësitë për të kandiduar për Shtëpinë e Bardhë, çka do ta bënte atë nëse fitonte, presidentin e parë afrikano-amerikan të vendit. Por shqetësimet e bashkëshortes së tij Alma, lidhur me sigurinë e tij, bënë që ai të ndryshonte mendje.

Në vitin 2008, zoti Powell doli kundër Partisë Republikane dhe mbështeti kandidaturën për president të demokratit Barack Obama, i cili u bë më pas presidenti i parë afrikano-amerikan i zgjedhur në Shtëpinë e Bardhë. Ai gjithashtu votoi për Joe Bidenin në zgjedhjet e kaluara. Ai ishte një kritik i ashpër i Donald Trump vitet e fundit, duke e përshkruar atë si “një turp kombëtar” i cili duhej të ishte hequr nga detyra përmes procesit të shkarkimit. Pas sulmit të 6 janarit ndaj Kapitolit , zoti Powell tha se nuk e konsideron veten republikan.

Fushatat ushtarake

Zoti Powell luajti një rol kyç dy dekada më parë në disa nga konfliktet kryesore ushtarake të vendit. Ai hyri që i ri në ushtri dhe në vitin 1962 ishte një nga më shumë se 16,000 këshilltarë ushtarakë të dërguar në Vietnamin e Jugut nga Presidenti John F. Kennedy.

Zoti Powell, një ish-gjeneral me katër yje i ushtrisë , ka shërbyer në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë nën Presidentin George H.W. Bush gjatë Luftës së Gjirit në vitit 1991, gjatë së cilës forcat e drejtuara nga SHBA-ja dëbuan trupat irakiane nga Kuvajti fqinj.

Gjatë mandatit të tij si Shef i Shtabit të Përgjithshëm, qasja e tij ndaj luftës u bë e njohur si Doktrina Powell, sipas së cilës Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen me forcat e tyre në konflikt vetëm nëse kanë objektiva të qartë dhe të realizueshëm me mbështetje publike, si edhe një strategji për përfundimin e luftës.

Por në vitin 2003, ndërsa mbante detyrën e diplomatit më të lartë të vendit, zoti Powell luajti një rol kyç në ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në Irak bazuar në informacione të gabuara të zbulimit se ish Presidenti irakian Saddam Hussein kishte rezerva me armë të shkatërrimit në masë e kimike e biologjike, të cilat përbënin një rrezik urgjent ndaj paqes në botë.

Më 5 shkurt të vitit 2003, zoti Powell iu drejtua me një fjalim Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke avancuar objektivin për ndërhyrje ushtarake në Irak çka kërkohej nga Presidenti George W. Bush e zyrtarë kryesorë në administratën së tij, mes tyre Nënpresidenti Dick Cheney.
Zoti Powell pohoi se “nuk duhet të ketë dyshim se Saddam Hussein ka armë biologjike dhe aftësi për të prodhuar me shpejtësi edhe shumë të tjera”.

Në një intervistë televizive, ai e përshkroi mbështetjen e tij për pushtimin amerikan të Irakut si një “njollë” në historikun e karrierës së tij. SHBA nuk zbuloi armë të shkatërrimit në masë në Irak. “Do të jetë gjithmonë pjesë e historikut të punës sime. Ishte e dhimbshme dhe vazhdon të jetë e tillë”, tha zoti Powell.

“Triumfi i ëndrrës amerikane”

Në harkun e jetës së tij, ai u ngrit nga një fëmijëri në një lagje të thjeshtë të Nju Jorkut deri në postin e kryediplomatit.

“Historia ime është ajo e një fëmije me ngjyrë pa ndonjë perspektivë, bir i një familjeje emigrante pas shumë mundësi, që u rrit në Bronks”, – shkruante ai në autobiografinë e tij të vitit 1995.
Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, një gjeneral në pension i Ushtrisë, tha se lajmi për vdekjen e zotit Powell e kishte trishtuar jashtëzakonisht.

“Bota humbi një nga udhëheqësit më të mëdhenj që kemi parë ndonjëherë,” tha zoti Austin. “Alma humbi një burrë të madh, familja humbi një baba të jashtëzakonshëm dhe unë humba një mik dhe mentor të jashtëzakonshëm personal”, – tha ai.

Sekretari aktual i Shtetit, Antony Blinken tha se karriera historike e zotit Powell si udhëheqës ushtarak dhe diplomat ishte “një triumf i ëndrrës amerikane, i parimit se në vendin tonë, njerëzit mund të kapin majat në në bazë të talentit të tyre, aftësive të tyre, ëndrrave dhe disiplinës së tyre”.

Zoti Blinken vlerësoi udhëheqjen e zotit Powell në krye të Departamentit të Shtetit.

“Ai i dha Departamentit të Shtetit maksimumin e aftësive të tij udhëheqëse, e përvojës së tij, patriotizmit të tij, ai na dhuroi mirësunë e tij dhe Departamenti i Shtetit e donte pikërisht për këtë arsye,” – tha zoti Blinken. /VOA

Lajmet më të lexuara