Në përvjetorin e dytë të shpërthimit të luftës në Gaza, Hamas ka deklaruar se është i gatshëm të arrijë një marrëveshje për përfundimin e konfliktit, por ka theksuar se marrëveshja duhet të përfshijë garanci për përfundimin e luftës dhe që ajo të mos përsëritet.
Bisedimet po zhvillohen në Sharm el-Sheikh të Egjiptit dhe pritet që të rifillojnë të mërkurën me pjesëmarrjen e ndërmjetësve të lartë nga Katari dhe Shtetet e Bashkuara, përfshirë kryeministrin e Katarit dhe emisarët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, raporton Reuters.
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka propozuar një plan për paqen në Gaza, u shpreh optimist për një marrëveshje të mundshme, duke deklaruar se shpreson në paqe të qëndrueshme në të gjithë Lindjen e Mesme. Ndërkohë, një zyrtar amerikan konfirmoi se Trump është informuar drejtpërdrejt nga ndërmjetësit për ecurinë e negociatave, të cilat, sipas burimeve pranë procesit, po zhvillohen në një atmosferë më konstruktive sesa ditën e mëparshme.
Hamas kërkon një armëpushim të përhershëm, tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Rripi i Gazës dhe fillimin e menjëhershëm të procesit të rindërtimit nën mbikëqyrjen e një organi teknokrat palestinez. Megjithatë, mbeten pengesa të mëdha, pasi Izraeli nuk pranon të tërhiqet pa çarmatimin e Hamasit, një kërkesë që ky i fundit e kundërshton fuqishëm.
Në një deklaratë zyrtare, një përfaqësues i Hamasit tha se askush nuk ka të drejtë të heqë dorë nga armët e popullit palestinez, duke theksuar se “rezistenca do të vazhdojë me të gjitha mjetet.”
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në një deklaratë në rrjetin X, i quajti këto “ditë vendimtare” dhe tha se Izraeli do të vazhdojë me objektivat e luftës: kthimin e të gjithë pengjeve, eliminimin e sundimit të Hamasit dhe sigurimin që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin. Ndërkohë, ofensiva izraelite në Gaza vijon, pavarësisht përpjekjeve diplomatike dhe presionit ndërkombëtar në rritje.
Sipas autoriteteve në Gaza, që nga 7 tetori 2023, mbi 67,000 persona janë vrarë si pasojë e luftimeve, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur. Në anën tjetër, Izraeli raporton se në sulmin fillestar të Hamasit janë vrarë 1,200 persona dhe 251 janë rrëmbyer e dërguar në Gaza. Aktualisht, 48 pengje mbeten ende të zhdukur, nga të cilët besohet se rreth 20 janë gjallë.
Ndërkohë që udhëheqësit përpiqen të arrijnë një marrëveshje, civilët në të dy anët e konfliktit shprehin shpresë për një zgjidhje që do t’i japë fund vuajtjeve. Në Gaza, shumë familje kërkojnë paqe pas dy vitesh shkatërrim dhe zhvendosje të vazhdueshme, ndërsa në Izrael familjarët e pengjeve mbeten në pritje të kthimit të të dashurve të tyre.
Çështja e qeverisjes së pasluftës në Gaza dhe financimi i rindërtimit mbetet ende pa përgjigje, edhe në rast se arrihet një marrëveshje për armëpushim./rtk
Krasniqi uron kryetarët e rinj pas seancave inauguruese në K...
Kelmendi do të ankohet ndaj vendimit të Themelores që refuzo...
Shqipëria ndaloi 51 ton misër nga Serbia, konstatohet prani ...
Kurti: Mbi 12 milionë euro për transformimin e tërësishëm të...
13-vjeçari ther me thikë një 19-vjeçar pas një përleshje në ...
Rizvanolli: Kosova nuk ka importuar rrymë nga EFT gjatë qeve...