Gjykata e Lartë e Londrës vendosi të martën se Julian Assange nuk mund të ekstradohet menjëherë në Shtetet e Bashkuara lidhur me akuzat për spiunazh. Vendimi paraqet një fitore të pjesshme për themeluesin e Wikileaks. Dy gjyqtarët e kësaj gjykate thanë se atij do t’i lejohej një tjetër proces apeli kundër ekstradimit nëse nuk jepeshin garanci nga Shtetet e Bashkuara se ai nuk do të përballet me dënim me vdekje.
Vendimi nënkupton se beteja e tij ligjore, thuajse 10 vjeçare, do të vazhdojë dhe se zoti Assange do të vazhdojë të mbetet në burgun e sigurisë së lartë të Londrës “Belmarsh”, ku po mbahet prej 5 vjetësh.
Prokurorët amerikanë synojnë që 52 vjeçari Assange të gjykohet për 18 akuza, të mbështetura tek Akti i Spiunazhit, lidhur me publikimin e dokumenteve sekrete diplomatike dhe të ushtrisë amerikane, në faqen e tij të internetit, Wikileaks.
Në shkurt, avokatët e zotit Assange siguruan të drejtën për të apeluar urdhrin e ekstradimit të miratuar nga qeveria britanike, nën argumentin se akuzat ndaj tij ishin të motivuara politikisht.
Gjykata u ka kërkuar autoriteteve amerikane të japin “garanci të pranueshme” se zoti Assange do të ketë mundësi të mbrohet bazuar në Amendamentin e Parë të Kushtetutës Amerikane, që garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit dhe se ndaj tij nuk do të kërkohet dënimi me vdekje.
Nëse nuk jepen këto garanci, atëherë zotit Assange do t’i mundësohej e drejta e apelit. Një seancë tjetër dëgjimore është caktuar të mbahet në 20 maj.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se zoti Assange nuk do të përballet me dënim kapital, por gjyqtarët britanikë shprehen në vendimin e së martës se “ në garancitë aktuale nuk përjashtohet qartësisht dënimi me vdekje”.
Shtetet e Bashkuara argumentojnë se publikimi i të dhënave nga Wikiliekas vuri në rrezik jetën e agjentëve amerikane dhe se nuk ka justifikim për këtë vepër penale.
Mbështetësit e zotit Assange e shohin atë si një hero i cili po hetohet, pavarësisht se është gazetar, pasi zbuloi abuzimet e qeverisë amerikane.
Qeveria amerikane thotë se veprimet e tij shkojnë përtej detyrës së gazetarit dhe ai akuzohet se ka “botuar me vetëdije” emra agjentësh dhe jo pikëpamjet e tij politike.
Prokurorët amerikanë thonë se zoti Assange ndihmoi analisten e inteligjencës së ushtrisë amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet diplomatike dhe dosjet ushtarake lidhur me luftërat në Irak e Afganistan.
Avokatët e tij thonë se ai mund të përballet me 175 vjet burg nëse gjendet fajtor, megjithëse autoritetet amerikane kanë thënë se dënimi ka të ngjarë të jetë shumë më i shkurtër se kaq./voa/
Real Madridi i del në mbrojtje Vinit, pas fishkëllimave që m...
Britani/ Mbi 41,000 emigrantë kaluan La Manshin në 2025
“Vëllai im matanë bjeshkëve”, Rama lutet për Thaçin dhe të t...
Goditje masive ndaj emigrantëve, Trump paralajmëron masa të ...
Shkupi qyteti më i ndotur në Evropë
Konjufca takon vullnetarët e VV-së në Therandë: Me energjinë...