Gjermania përjashton njohjen e shtetit palestinez në “të ardhmen e parashikueshme”

23:47 | 7 Dhjetor 2025
E.H

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se vendi i tij nuk ka asnjë plan të njohë një shtet të pavarur palestinez “në të ardhmen e parashikueshme”, pavarësisht thirrjeve në rritje që Berlini të ndryshojë qëndrimin e tij ndaj luftës së Izraelit dhe politikave të tij në Gaza.

“Ajo që ka rëndësi tani është zbatimi i këtij plani të paqes hap pas hapi dhe askush prej nesh nuk e di sot se cili do të jetë rezultati. Për shkak se kjo është situata, qeveria federale, ndryshe nga shtetet e tjera evropiane, është përmbajtur nga njohja e një shteti palestinez në këtë fazë të hershme. Dhe nuk do ta bëjmë as në të ardhmen e parashikueshme”, tha Merz në një konferencë për media në Kuds me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

“Qeveria federale gjermane mbetet e mendimit se njohja e një shteti palestinez duhet të vijë në fund, jo në fillim të një procesi të tillë (të negociatave të paqes)”, tha Merz.

Kancelari gjerman përsëriti se “një zgjidhje me dy shtete mund të arrihet vetëm përmes negociatave”.

Merz tha se ata po punojnë “drejt objektivit të një Lindje të Mesme të re”, në të cilën edhe shteti i Izraelit do të njihet.

“Ne jemi të bindur se krijimi i ardhshëm i një shteti palestinez përkrah Izraelit ndoshta ofron perspektivën më të mirë për këtë të ardhme”, shtoi ai.

Si një mbështetëse e palëkundur e Izraelit, qeveria gjermane është përballur me kritika gjithnjë e më të mëdha publike për mbështetjen e saj të pakushtëzuar ndaj Izraelit.

Në tetor, gati 200 intelektualë, juristë dhe ekspertë të politikës së jashtme i bënë thirrje qeverisë qendër-djathtiste të heq dorë nga politika e saj e “lojalitetit të verbër” ndaj Izraelit dhe nga shtypja e zërave pro-Palestinë në vend.

Ata nënshkruan një dokument të ri politik, duke kërkuar një rishikim të plotë të qasjes pro-Izrael të Gjermanisë, duke bërë thirrje që vendimet të bazohen në të drejtën ndërkombëtare e jo në fajin historik. /AA/

Shpërndaje në rrjete sociale