Hetuesit njoftuan se është gjetur kutia e zezë e helikopterit të ushtrisë amerikane që u përplas me një avion pasagjerësh të mërkurën në mbrëmje, në aeroportin e kryeqytetit amerikan.
Autoritetet thanë se po shqyrtojnë të dhënat e fluturimit të helikopterit, së bashku me të dhënat e gjetura në kutitë e zeza të avionit në përpjekje për të gjetur shkakun e përplasjes që la 67 të vdekur.
Ndërkohë, ekipet e posaçme po vazhdojnë kërkimet në lumin Potomak, si pjesë e operacionit të kërkimit dhe hetimit për një prej aksidenteve ajrore me të rënda në thuajse një çerek shekulli në Shtetet e Bashkuara. Shefi i Departamentit të Zjarrfikëses, John Donnelly Sr. tha të premten se ishin gjetur trupat e 41 viktimave.
Është e paqartë se për sa kohë do të vazhdojë operacioni i kërkimit. Tashmë aeroporti “Ronald Reagan” ka vazhduar punën ndonëse dy nga tre pistat e aeroportit vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Të premten, Presidenti Donald Trump tha se helikopteri i ushtrisë i tipit “Black Hawk” po fluturonte më lart se sa duhej në momentin që u përlas me avionin e kompanisë “American Airlines”. “Helikopteri Blackhawk po fluturonte në një lartësi shumë më të madhe se sa kufiri prej 61 metrash. Kjo nuk është shumë e vështirë për t’u kuptuar, apo jo”, shkroi Presidenti Trump në një postim në rrjetin Truth Social./voa
Ministri i Jashtëm i Iranit udhëton drejt Kinës, në fokus ko...
Trump: Konflikti mund të zgjasë edhe dy deri në tre javë, SH...
Vrasja e 30-vjeçarit, Spitali i Gjakovës: Viktima u pranua p...
Tragjedia në Durrës: Nikoll Radaçi rrezikon deri në 20 vjet ...
Me kërkesë të Xhelal Sveçlës, shtyhet seanca gjyqësore për h...
Bayern hyn fuqishëm në garë për Gordonin, i ofron kontratë p...