Google ADS

Dhjetëra të vrarë nga një sulm i Izraelit në Gazë

08:24 | 10 Korrik 2024
E.G

Zyrtarët palestinezë thanë se një sulm ajror i Izraelit në jug të Gazës vrau së paku 29 njerëz.

Sulmi goditi mbi çadrat e familjeve të zhvendosura jashtë një shkolle në qytetin Abasan.

Shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë, thanë zyrtarët mjekësorë palestinezë.

Ushtria izraelite tha se po i analizon raportet për dëmtimin e civilëve.

Ajo tha se incidenti ka ndodhur gjatë goditjes me “municione të sakta” të një luftëtari të Hamasit, i cili ka marrë pjesë në sulmin e 7 tetorit në Izrael.

Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – ka sulmuar Izraelin vjeshtën e kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.

Në përgjigje, Izraeli është duke kryer një fushatë masive sulmesh në Gazë – enklavë e kontrolluar nga Hamasi.

Sipas autoriteteve atje, mbi 38.000 njerëz janë vrarë prej se ka nisur lufta.

Në të gjithë Gazën të martën, sipas mjekëve, u vranë më shumë se 40 palestinezë në sulmet ajrore izraelite.

Shpresat e banorëve të Gazës për armëpushim janë ringjallur pasi Hamasi, javën e kaluar, ka pranuar një pjesë kyçe të një propozimi të SHBA-së për ndaljen e luftimeve.

Ndërmjetësuesit e Katarit dhe të Egjiptit, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, janë duke i vazhduar bisedimet këtë javë në Doha./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale