Covid-19: Dështoi Europa

23:56 | 11 Tetor 2020

Vala e dytë e koronavirusit e përfshiu Europën para fillimit të sezonës së gripit.

Njësitë e kujdesit intesiv janë plot, lokalet e natës janë duke u mbyllur dhe për t’i bërë gjërat më të komplikuara, autoritetet po thonë që ‘Covid-19 është duke u zbehur”, shkruan AP, transmeton portal arbresh.info

Numri rekord i lartë i njerëzve të infektuar në disa vende të Europës Lindore dhe kërcimet e papritura në pjesën perëndimore të goditur rëndë tregojnë qartë se Europa nuk e ka thyer kurbën  siç kishte shpresuar, pas masave kufizuese në pranverë.

Spanja ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në rajonin e Madridit, e cila ka çuar në tensione midis autoriteteve lokale dhe kombëtare për masat për të luftuar virusin.

Gjermania është duke punësuar trupa për të ndihmuar në monitorimin e kontakteve në pikat e reja të nxehta.

Italia është duke e bërë maskën të detyrueshme edhe në ambiente të hapura, ndërsa paralajmëron se sistemi i kujdesit shëndetësor është në një gjendje kritike, pasi spitalet janë duke u mbushur sërish.

Festa në Çeki që kishte për qëllim përshëndetjen ‘lamtumirëse’ nga koronavirusi, ku mijëra banorë në Pragë darkuan në një tryezë rreth 500 metra të gjatë në Pragë, doli të jetë një budallaku, pasi vendi tani është duke përjetuar shkallën më të lartë të infeksionit në kontinent.

Epidemiologët dhe banorët po drejtojnë gishtin drejt qeverive për dështimin për të përfituar nga qetësia e verës në epidemi, për t’u përgatitur në mënyrë adekuate për kërcimin e pritshëm të vjeshtës, sepse numri i testeve dhe personelit mjekësor është përsëri i vogël.

Tensionet po rriten në qytete ku po futen kufizime të reja. Qindra punëtorë të hotelierisë po protestojnë kundër mbylljes së restoranteve, teatrove dhe diskotekave.

“Ne ishim të mbyllur për gjashtë muaj, restaurantet nuk punuan dhe numrat sërish u rritën. Unë nuk jam ekspert, por as budalla. Ne nuk jemi përgjegjës për pandeminë”, tha Marius Qiprian, pronar i një bari në Bukuresht.

Hollanda, Belgjika, Mbretëria e Bashkuar, Spanja dhe Franca, po diagnostikojnë më shumë raste të reja në ditë sesa Shtetet e Bashkuara.

Franca, me një popullsi prej 70 milion banorësh, kishte një rekord gati 27,000 infeksione të reja dje, dhe një rekord total ditor prej 100,000 rastesh të reja u regjistrua në të gjithë Europën.

Ekspertët pretendojnë se shkalla e lartë e infeksionit në Europë është pjesërisht rezultat i më shumë testeve masive sesa gjatë valës së parë, por ky trend është ende shqetësues duke pasur parasysh që sezoni i gripit ende nuk ka filluar.

“Nuk i kemi mësuar mësimet gjatë valës së parë. Po vraponim pas epidemisë, në vend se të shkonim përpara saj”, tha Gilles Pilot, drejtor i spitalit Tenon në Paris.

Megjithatë, lajmi i mirë është se tani mjekët e dinë se cilën terapi të përdorin dhe se cila po funksionon.

Gjatë kulmit të epidemisë në mars dhe prill, mjekët në Spanjë dhe Itali i dhanë pacientit çdo ilaç që mendonin se do të funksiononte – hidroksiklorokinë, lopinavir, ritonavir, por me sukses të kufizuar.

Tani ata nuk përdorin më barna që nuk kanë asnjë efekt, dhe në këtë kuptim dinë më shumë se gjatë valës së parë të pandemisë.

Por trajtimi mjekësor për virusin është vetëm gjysma e betejës. Zyrtarët e shëndetit publik tani po përballen me protesta nga qytetarët kundër mbajtjes së maskave, duke mohuar rrezikun e virusit dhe lodhjen e qytetarëve të cilët thjesht janë ngopur duke u thënë të mbajnë distancën e tyre dhe të përmbahen nga përqafimi i të dashurve./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale