Peter Mandelson, ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara, u shkarkua nga kryeministri Keir Starmer pas publikimit të email-eve që zbuluan lidhjet e tij me të ndjerin Jeffrey Epstein, i dënuar më parë për abuzim seksual.
Mandelson, i njohur për manovrat e tij pas skenave gjatë një karriere mbi 30-vjeçare, kishte këshilluar Epstein të luftonte për lirimin e hershëm në 2008, kur po përballej me dënim 18-mujor për përdhunim të një të miture. Një letër e tij e publikuar e quante Epstein “mikun tim më të mirë”.
Ministria britanike e jashtme deklaroi se raportimet tregojnë se marrëdhënia e Mandelson me Epstein ishte më e thellë dhe më e gjerë nga sa dihej në kohën e emërimit të tij si ambasador. Kjo e shtyu Kryeministrin Starmer të kërkonte largimin e tij nga posti më i lartë diplomatik britanik në SHBA.
Të mërkurën, Mandelson tha se pendonte thellësisht që kishte takuar Epstein dhe se kishte vazhduar këtë shoqëri “për shumë më gjatë se sa duhej”, duke pranuar se kishte besuar gënjeshtrat e tij si një “kriminel karizmatik dhe gënjeshtar”.
Epstein, i cili vdiq në burg në 2019, kishte miqësi me princa dhe elita politike, dhe shumë prej tyre janë kritikuar për lidhjet me të. Princi Andrew, vëllai më i ri i Mbretit Charles, u largua nga detyrat zyrtare mbretërore për lidhjet me Epstein, ndërsa mohon çdo shkelje ligjore.
Ky skandal vjen në një kohë kur Kryeministri Starmer po përballet me vështirësi në sondazhet e opinionit dhe ndërsa një vizitë shtetërore e Presidentit amerikan Donald Trump pritet javën e ardhshme./rtk
Mbi 123 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionimin e teks...
Anulohen seancat e gushtit në rastin Thaçi dhe të tjerët për...
Konjufca: Do të hyjmë në negociata më të thelluara me LDK-në...
Kurti priti në takim Selën, flasin për rrugën Prizren – Teto...
Kosovarët dynden drejt bregdetit shqiptar, fluks i shtuar au...
“Vepra arti, ikona dizajni dhe asgjë më shumë”, ...