Britania e Madhe dëbon një diplomat rus si kundërpërgjigje ndaj Moskës

17:58 | 2 Shkurt 2026
E.H

Britania e Madhe ka dëbuar një diplomat rus, në një veprim reciprok pas dëbimit muajin e kaluar të një diplomati britanik nga Rusia, i akuzuar nga autoritetet ruse për spiunazh.

Ministria e Jashtme britanike i ka hedhur poshtë akuzat e Moskës, duke i cilësuar ato si “të pabaza”, ndërsa dëbimin e diplomatit britanik e ka përshkruar si “të paprovokuar dhe të pajustifikuar”. Sipas Foreign Office, diplomati u akuzua padrejtësisht si pjesëtar i shërbimeve të fshehta, pa pasur një status të tillë të deklaruar.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme britanike bëri të ditur se ambasadori rus është thirrur për sqarime, ku Londra ka theksuar se nuk do të tolerojë frikësimin e stafit të saj diplomatik. Si pasojë, autoritetet britanike kanë vendosur t’i heqin akreditimin një diplomati rus.

Në sfondin e luftës në Ukrainë, tensionet mes Rusisë dhe vendeve perëndimore janë shoqëruar me akuza të ndërsjella për spiunazh, në një shkallë që diplomatët e krahasojnë me periudhën e Luftës së Ftohtë. Diplomatë perëndimorë në Moskë kanë raportuar mbikëqyrje intensive dhe ngacmime të vazhdueshme.

Britania ka paralajmëruar Rusinë të mos vijojë me këtë qasje, duke theksuar se çdo veprim i mëtejshëm do të konsiderohet përshkallëzim dhe do të marrë një përgjigje të përshtatshme.

Shpërndaje në rrjete sociale