Amnesty International po akuzon ushtrinë e Mianmarit për mizori të reja në shtetin veriperëndimor Rakhine, e njëjta zonë ku rreth dy vite më parë ushtria goditi mizorisht popullsinë myslimane rohingya.
Ushtria ka vendosur mijëra trupa në Rakhine për të luftuar grupin rebel që njihet si “Arakan Army”, e cila kërkon autonomi më të madhe për popullsinë budiste etnike të atij shteti.
Në një raport të publikuar të mërkurën, grupi i të drejtave të njeriut renditi disa krime lufte të kryera nga trupat e Mianmarit, përfshi vrasjet pa gjyq, arrestimet arbitrare, torturat dhe zhdukjet me forcë.
Nicholas Bequelin, drejtor rajonal i Amnesty International për Azinë Jugore dhe Juglindore, thotë se operacionet e fundit ushtarake në Rakhine, “flasin për një ushtri të pamëshirshme, të pareformuar dhe të papërgjegjshme që terrorizon popullsinë civile”. Por Amnesty International po ashtu akuzoi grupin rebel “Arakan Army” për abuzim ndaj civilëve.
Më shumë se 700 mijë myslimanë rohingya u detyruan me forcë të largohen nga shteti Rakhine pasi ushtria e Mianmarit ndërmori një fushatë të paparë në gushtin e vitit 2017, në përgjigje të sulmeve të militantëve rohingya ndaj posteve të sigurisë shtetërore.
Dëshmitë e shumë të mbijetuarve, për vrasje, përdhunime dhe zjarrvënie, bënë që Kombet e Bashkuara të akuzonin ushtrinë e Mianmarit për kryerjen e mësymjes me qëllime gjenocidi.
Vendi me shumicë budiste i konsideron banorët e popullsisë rohingya si emigrantë ilegalë nga Bangladeshi dhe u kanë mohuar atyre shtetësinë dhe të drejta të tjera themelore./voa/
Kurti emëron Donika Gërvallën Koordinatore Kombëtare për mbr...
Qeveria ndan 500 mijë euro për shqiptarët që gjenden në Lind...
Universiteti i Prishtinës përsërit thirrjet për ndalimin e n...
Tragjedi në Shkodër: Gjendet i vdekur një 19-vjeçar
Barcelona me një tentim për të nënshkruar me superyllin e Ci...
Rrëzohet një avion ushtarak amerikan në Irak, vdesin gjashtë...