Pas heqjes së vetos ndaj anëtarësimit të Suedisë në NATO, shpërblimi për Turqinë vjen në formën e avionëve të luftës. Qeveria amerikane aprovoi shitjen prej 23 milion dollarëshe të 40 avionëve të rinj F-16, një lëvizje e shtyrë prej kohësh për shkak të hezitimit të Ankarasë anëtare të NATO-s, për ti hapur derën Stokholmit.
Ujdia përfshin edhe pajisje moderne për 79 avionë ekzistues turq, F-16. Turqia ratifikoi aderimin e Suedisë në NATO pas më shumë se një viti kundërshti, që shkaktoi tension në aleancë.
Kërkesa për blerjen e avionëve u bë fillimisht në vitin 2021, por kokëfortësia e Ankarasë lidhur me Suedinë u shndërrua në një pengesë të madhe. Veton e saj, Ankaraja e justifikonte me atë që e shihte si mbështetje të Stokholmit për separatistët kurdë.
Por menjëherë pas dritës jeshile në parlamentin turk këtë javë, presidenti amerikan Joe Biden, urdhëroi që shitja e avionëve të kryhej pa vonesa.
Lufta ruse në Ukrainë e ka fuqizuar rolin e Turqisë si një mburojë e NATO-s në rajonin e Detit të Zi. Senatori demokrat Ben Cardin, kryetar i komisionit për marrëdhëniet me jashtë në Senat, pasi njoftoi aprovimin e shitjes së avionëve, paralajmëroi Turqinë që të mos bënte hapa të gabuar, dhe të përmirësonte të dhënat lidhur me të drejtat e njeriut.
Tani, Hungaria është e vetmja anëtare e NATO-s që po mban peng ambicien e Suedisë, edhe pse së fundmi ka pasur sinjale përparimi. /A2cnn
Elijona, banorja e preferuar
LudoLee banori më i ri i Big Brother VIP Kosova
Turistët në Shqipëri sollën 4.4 miliardë euro, shqiptarët sh...
Haxhiu fton qytetarët të marrin pjesë në tubimin e LVV-së ne...
Barcelona raportohet në La Liga nga një klub tjetër për tran...
Konjufca: Lotët e nanës Rukë janë lot të dhimbjes por edhe k...