Si u mashtruan studentët kosovarë nga kolegjet private

10:47 | 26 Shtator 2017

Shkarkimi i Bordit në Agjencinë e Kosovës për Akreditim nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka nxjerrë në dritë malverzimet e shumta që ndër vite kanë ndodhur në arsimin privat në Kosovë. Duke filluar nga akreditimi i programeve pa i plotësuar as kriteret minimale e deri të  prezantimi i rrejshëm i profesorëve.

Siç ka bërë të ditur Kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, Blerim Rexha, përmes një letre publike drejtuar kryeministrit Haradinaj, me vite të tëra studentët kosovarë janë mashtruar përmes programeve që nuk e kanë plotësuar asnjë kriter.

Janë plot 140 programe që Agjencia për Akreditim i ka mbyllur për mosplotësim as të kritereve minimale, gjatë punës së saj prej vitit 2015 deri më tani.

Megjithatë këto programe kanë qenë deri vonë funksionale, dhe shumë prej studentëve kosovarë  janë mashtruar.

“Është zvogëluar numri i programeve të studimit nga 486 në vitin 2015 në 346 programe ne vitin 2017 si pasojë e mosplotësimit të kërkesave minimale të cilësisë sipas kornizës ligjore në fuqi. Janë pezulluar mbi 140 programe të studimeve për mungesë të stafit akademik. Janë mbyllur 8 institucione private të arsimit të lartë për shkak të mos plotësimit”, ka thënë Rexha përmes një letre publike, pas shkarkimit të tij dhe krejt bordit nga kryeministri Haradinaj.

Privatet prezantuan rrejshëm profesorët

Në letrën e tij Rexha ka zbuluar, për herë të parë, mënyrat sesi u mashtruan studentët kosovarë nga “privatet”. Siç është ajo e prezantimit të rrejshëm të profesorëve nga shumë prej fakulteteve private.

“Ndaluam punën e mbi 60 profesorëve nga rajoni (Maqedonia, Shqipëria, dhe vendet tjera) vetëm për letra në institucionet tona të arsimit të lartë. Këta 60 “profesorë” kanë ofruar deklarime të rreme në Agjenci për qëllime të akreditimit, madje disa prej tyre as nuk ishin në dijeni që emri i tyre përdorej nga institucionet e arsimit në Kosovë, e disa nuk kanë qenë asnjëherë në Kosovë”, thotë Rexha në letrën e tij.

Rexha shton së si Agjenci kanë ndaluar punën e të gjithë profesorëve në Kosovë me dy e më shumë vende të punës me orar të plotë.

“Vendosem për herë të parë kufizimin në numër të studentëve të regjistruar, në pajtim me infrastrukturën që institucionet e arsimit kanë në dispozicion. Bëmë publike listën e të gjithë profesorëve (bartësve) të programeve të studimeve dhe kthyem imazhin e lënduar të Agjencisë në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Rexha: Haradinaj gaboi me shkarkimin e Bordit

Rexha në letrën e tij publike thotë se është ndier i ofenduar nga kryeministri kur ka thënë se anëtarët e Agjencisë së Akreditimit janë të pa eksperiencë.

”Me habi të madhe mora dje lajmin, nga mediat, për kërkesën tuaj për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë (Bordit) të Agjencisë së Kosovës për Akreditim me arsyetimin “e parregullsive serioze”, “objekt i diskutimit publik” dhe keni kërkuar menjëherë rekrutimin e “njerëzve me ekspertizë të duhur në arsimin e lartë, me kredenciale të larta, etike dhe profesionale”!”

Anëtaret e deritanishëm të Bordit, sipas Rexhës, janë njerëz shumë të respektuar në komunitetin e tyre, ata kanë kredenciale të larta akademike, profesionale dhe etike.

“I nderuar Kryeministër, e kuptoj, se veprimet tona të fundit, me qëllim të rritjes së cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë (Rishikimi i Udhëzuesve dhe Standardeve të Agjencisë), rritjen e transparencës së arsimin e lartë (Projekti për Digjitalizimin e Procesit të Akreditimit), hartimin e standardeve për Monitorim etj. krejt këto të mbështetura me projekte nga donatorët ndërkombëtarë, janë shumë të avancuara për kontekstin në të cilin jetojmë, dhe disa i shohin edhe si pengese për vazhdimin e aktiviteteve të tyre biznesore”.

Rexha vlerëson se ky vendim i kryeministrit, pa ndonjë analizë paraprake të punës se Agjencisë dhe gjendjes aktuale në arsimin e lartë është mesazh jo i mirë për Kosovën dhe pavarësinë e institucioneve të pavarura në Kosovë. /Gazeta Fjala/

Lajmet më të lexuara