Rritja e çmimeve| Heqja apo zvogëlimi i tatimit në pagë si ndihmesë për qytetarët

08:04 | 8 Nëntor 2021 | Sahide Dedushi

Heqja e tatimit në pagë po shihet si opsion i ndihmesës së qytetarëve tash kur ngritja e çmimeve në treg ka tejkaluar mundësit për tu përballuar nga qytetarët e Kosovës, shkruan arbresh.info.

Njohës të  çështjeve ekonomike për arbresh.info, thonë se Qeveria e Kosovës duhet të mendojë heqjen e tatimit në pagë të paktën për një ose dy vite.

Burim Berisha njohës i çështjeve ekonomike për arbresh.info tha se Qeveria duhet të mendoj një gjë të tillë të paktën tek personat e rijnë që punësohen.

“Tash nëse don Qeveria me ba reforma mundet që këtë faljen e tatimit në pagë ta zhvillojë tek të punësuarit e rijnë, që automatikisht tatimi në pagë me ju lirua për një vit apo dy edhe gjithashtu ka mundësi që paga minimale që është e përcaktuar në Ministrinë e Financave që mund të jetë 130 euro 35 vjet ajo të jetë e liruar apo edhe 170 euro mund të jetë po ashtu e liruar. Por, nëse në të ardhmen ka me u vendos që paga minimale me qenë në Kosovë 250euro, për një vit ose deri në dy vite mund që kjo pjesa e tatimit në pagë të jetë zero, edhe ne nuk guxojmë sidomos tash me ba shumë veprime të tilla”, tha Berisha.

Së fundi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka hequr taksën për paga deri në 40 mijë lekë, e që në Kosovë një gjë e tillë nuk po shihet të ndodhë.

Selatin Kaçaniku, nga shoqata “Konsumatori”, për arbresh.info, tha se Kosova me buxhetin e cunguar që ka nuk ka shanse të bëjë manovra, por nëse do ta bëjë atëherë ta bëjë në mënyrë të njëtrajtshme dhe ta harroj logjikën e lëmoshës.

“Qeveria duhet ta harrojë logjiken e lëmosh dhënies sepse nuk janë ata pronarë të buxhetit, pronar i buxhetit është qytetari i Kosovës konsumator taksa pagues, prandaj nëse Qeveria mendon që të bëjë këto ndryshime, të mos jenë të njëtrajtshme dhe të mos jenë një perdorimshe, por të zgjasin edhe pasi të kryejmë punë me këtë startin e rritjes së çmimeve”, tha Kaçaniku.

Arbresh.info ka kontaktuar edhe me Administratën Tatimore të Kosovës për t’i pyetur nëse diçka e tillë është në plan por që ATK, ka kërkuar që t’i drejtohemi Ministrisë së Financave e që kjo e fundit po ashtu ka vendosur të heshtë dhe të mos kthej përgjigjeje.

“Konsideroj që këtë pyetje duhet ta adresoni në Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve’, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Në këtë kohë të rritjes së çmimeve, ditë më parë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se është marr vendim që të hiqet taksa për pagën deri 40 mijë lekë, ndërkaq ulje e tatimit për pagat 150 mijë lekë dhe 200 mijë lekë , nga 20-23%./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara