Namazxhahu i Opojës në Dragash, vendi ku ruhet historia 500 vjeçare

13:08 | 26 Shtator 2021 | Sahide Dedushi

Në mes të maleve dhe kodrave të Opojës, ruhet civilizimi i lashtë i ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane, e njohur si Namazxhahu i Opojës, apo ndryshe edhe si xhamia e hapur, shkruan
arbresh.info.

Thuhet se në vitet e ’20 të shekullit XVI, kjo xhami e hapur u ndërtua nga pushtetari osman Mehmet Kukli-beu.

Sipas traditës në këtë vend Mehmet Kukli-beu bashkë me ushtrinë e tij ka bërë faljen e namazit.

Drejtori për Kulturë Rini dhe Sport në Komunën e Dragashit, Lirim Hajredini, për arbresh.info, shpjegoi historikun që e karakterizon këtë Namazxhah.

“Kjo është namazxhahu që rrjedh nga gjuha persiane që do të thotë namaz-falje dhe gjah-vend. Kjo daton nga viti 1530 pra në kohën e Mehmet Kukli beut, pra sundimit të Perandorisë Osmane. Kjo ka shërbyer si xhami e hapur, ku ka shërbye më së shumti për faljen e namazit nga ana e ushtrisë i udhëhequr nga komandanti apo kush ka qenë”, tha Hajredini.

Sipas të dhënave të fundit objekte të llojit të tillë gjenden vetëm katër në Evropë.

“Xhami të këtij lloji janë vetëm katër në Evropë, që është në Bullgari, Bosnje, njëra në Prizren dhe kjo që është në Opojë, gjegjësisht në komunën e Dragashit”, tha Hajredini.

Ndonëse me rëndësi të madhe kulturore, historike dhe fetare, këtij objekti nuk i është dhënë kujdesi i mjaftueshëm.

“Gjatë viteve kjo është restaurua mirëpo jo shumë herët, gjatë vitit 2014-2015, është restaurua nga CHëB (Trashëgimia Kulturore pa Kufij) në bashkëpunim me Kuvendin Komunal, si dhe gjatë vitit 2020, kemi bërë restaurimin edhe një herë të vendeve ku janë dëmtu për shkak të kohës si dhe vendosjen e ndriçimit të këtij vendi”, tha Hajredini.

Kujtojmë se kjo xhami është në Mbrojtjeje të Monumenteve të Kulturës, dhe si e tillë është njëra nderë xhamit më të vjetra në Opojë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara