Google ADS

A rrezikon të nis lufta NATO-Rusi? Armët bërthamore vendosen në gjendje gatishmërie

16:00 | 18 Qershor 2024
K.B

Vendet anëtare të Aleancës Veri-atlantike janë duke diskutuar mundësinë e nxjerrjes së armëve bërthamore nga magazinimi dhe vendosjen e tyre në gatishmëri, pas fillimit të një lidhje të fortë mes Rusisë dhe Kinës.

Kështu ka bërë të ditur sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i cili nuk ka dhënë shumë detaje se sa armë do të nxirren, çfarë kokash bërthamore do të jenë në gatishmëri apo cilat do të ruhen.

“Unë nuk do të flas për detajet operacionale se sa koka bërthamore duhet të vihen në veprim dhe cilat do të ruhen, por ne duhet të konsultohemi për këto çështje. Kjo është pikërisht ajo që po bëjmë. Transparenca ndihmon për të përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë se ne jemi, natyrisht, një aleancë bërthamore,” tha Stoltenberg për gazetën britanike “The Telegraph”.

Mes tjerash, Stoltenberg të hënën theksoi se armët bërthamore janë garancia përfundimtare e sigurisë së NATO-s dhe një mjet për të ruajtur paqen teksa ka shprehur gatishmërinë e NATO-s që kurdoherë të përballet me Putinin.

Pas kësaj deklarate, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Kremlinit.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov ka deklaruar se perëndimi po kërkon në çdo mënyrë përshkallëzimin e luftës me Rusinë.

Gjithashtu, presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar vazhdimisht se Moska mund të përdorë armë bërthamore për të mbrojtur veten në rrethana ekstreme.

Moska akuzon Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj evropianë se po e shtyjnë botën në prag të konfliktit bërthamor duke furnizuar Ukrainën me armë me vlerë miliarda dollarë, të cilat përdoren në sulmet në territorin rus.

NATO, e cila ka marrë një rol më të madh në koordinimin e ndihmës ushtarake për Kievin, rrallë flet publikisht për armët bërthamore, megjithëse SHBA-të dihet se kanë bomba bërthamore të vendosura në disa vende në Evropë.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë deri tani fuqitë më të mëdha bërthamore në botë, duke zotëruar rreth 88 për qind të tyre.

Shtetet e Bashkuara kanë rreth 100 armë bërthamore jo strategjikë B61, të vendosura në pesë vende evropiane – Itali, Gjermani, Turqi, Belgjikë dhe Holandë, sipas Buletinit të Shkencëtarëve Atomik.

SHBA ka edhe 100 armë të tjera brenda kufijve të saj.

Kurse, Rusia ka rreth 1558 koka bërthamore jostrategjike, por ekspertët e kontrollit të armëve thonë se është shumë e vështirë të thuhet saktësisht se sa janë për shkak të fshehtësisë së të dhënave.

Putin tha javën e kaluar se shumë nga armët taktike bërthamore të Rusisë kanë 70-75 kiloton fuqi shpërthyese – rreth pesë herë më shumë se bomba bërthamore amerikane e hedhur në Hiroshima më 6 gusht 1945./Arbresh.info/Ejona Hyseni/

@arbresh_info A rrezikon të nis lufta NATO-Rusi? Armët bërthamore vendosen në gjendje #fyp#trending ♬ original sound – arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale