2500 euro dallama/ Vajzat e diasporës shumë të interesuara për veshjet tradicionale

12:05 | 16 Janar 2022 | Vlora Selimi

Janë veshje që identifikojnë një dasmë, por pandemia duket se ka ndryshuar traditën.

Fustani i nusërisë, dallama, dimitë, jeleku i arit e fustanet janë veshje që i bëhen dhuratë nuses para se të martohet, kjo traditë shqiptare e gdhendur ndër vite, por kjo ka nisur të ndryshojë.

Është pandemia e Covid-19 që ka ndryshuar traditën e blerjeve marramendëse të veshjeve të nusërisë.

Për 20 vite sa merret më shitjen e tyre, Hatixhe Jahiri, thotë se dy vitet e fundit ishin më të rënda për sektorin e tyre.

“Pandemia ka ndiku shumë të na dhe po vazhdon. Si të anulohen dasmat edhe blerja e veshjeve ka ra dhe s’ka interesim. Blerja e tyre është ra, nuk ka të interesuar. Ata e presin datën e dasmës me u përgatit, por shkaku i pandemisë tash e dy vite ka ra”.

Periudha më e mirë për këtë biznes ishin festat dhe përudha e pushimeve kur edhe në Kosovë vinin mërgimtarët, ata shpenzonin shumë në veshje tradicionale.
“Na gjithmonë i presuam diasporën, por tash nuk vërehet kjo pasi s’po bëjnë dasma shkaku i pandemisë. S’ka interesim më për të blerë. Në sezonin e verës kemi pas pak gjallin nga diaspora, por tash për festat e fundvitit s’ka pas interesim prej tyre për me ble”.

Sidoqoftë, sipas Hatixhës, vajzat nga diaspora janë me shumë të interesuara për veshje nusërie sesa vajzat që jetojnë në Kosovë.
Por, cila është arsyeja e gjithë kësaj?

“Vajzat e diasporës kanë dallim prej vajzave këtu. Atyre ju intereson më ble veshje të nusërisë. Edhe këtu dëshirojnë më i ble dhe m’i pas këto, por gjendja e ekonomisë i ndalon që të kenë një veshje të tillë në sirtarin e tyre”.

Kostoja e tyre duket se për buxhetin në Kosovë është goxha e papërballueshme.

Vetëm një komplet i veshjes, i cili është punë dore kap shifrën nga 2000 deri në 2500 euro.
“Veshjet tradicionale ki nga 300 euro e më lart varësisht prej punës dorës. Vellot janë nga 250 deri në 150 euro. Një punim dore një veshje tradicionale shkon nga 2000 deri në 2500 euro”.

E në një zanat më të cilën është rritur, Hatixhja tregon, edhe momentet kur mes nuses e vjehrrës ka konflikte për përzgjedhjen e veshjes.
“Gjithmonë vinë më prind e djalit apo vjehrrin më ble. Ka raste që ka kundërshtime në përzgjedhje mes nuses e vjehrrës. Kur vinë veç djali më nusen përzgjedhja është më e shpejt”.

Ani pse tani ka më pak interesim, veshjet e nusërisë, para pandemisë u rikthyen në modë./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara