Vetëm katër ditë pasi për herë të parë të akuzuarit e rastit të njohur si ‘Pronto’ u paraqitën para gjykatës, prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, ka adresuar një kërkesë te kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Afërdita Bytyqi, me të cilën kërkon që gjykatësi i këtij rasti të përjashtohet.
Deri te kjo kërkesë e prokurores Hajdari ka ardhur pak ditë pasi që në seancën e parë të mbajtur pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës, nuk u lexua aktakuza në lidhje me këtë rast edhe pse këtë e kërkoi prokurorja Drita Hajdari.
Gjykatësi, Shashivar Hoti, e aprovoi propozimin e mbrojtësve që aktakuza të konsiderohet e lexuar dhe të mos lexohet nga prokurorja Hajdari, përkundër se ky ishte shqyrtimi i parë në lidhje me këtë rast, disa muaj pasi që është ngritur aktakuza.
Paragrafi 3 i nenit 246 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, në të cilin përcaktohet radha e veprimeve procedurale në shqyrtim fillestar, përcakton se aktakuza i lexohet palëve.
“Pastaj prokurori i shtetit ia lexon aktakuzën të pandehurit”, thuhet në dispozitën e nenit 246 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.
Kjo dispozitë përveç se i jep të drejtën palës së akuzuar që të njoftohet me pretendimet e Prokurorisë ndaj tij, gjithashtu mundëson edhe plotësimin e parimit të publicitetit të Procedurës Penale, duke i mundësuar publikut të mësoj se për çfarë po akuzohen të akuzuarit e çdo rasti.
Prokurorja speciale Drita Hajdari në kërkesën e saj, ka potencuar se me këtë veprim, gjykatësi i këtij rasti nuk është treguar objektiv dhe i paanshëm, duke mos pasur parasysh edhe kërkesën e prokurores për të lexuar aktakuzën, e për me tepër duke injoruar edhe dispozitat ligjore që përcaktojnë një gjë të tillë.
Të enjten e javës së kaluar, Adem Grabovci dhe të gjithë të akuzuarit e rastit ‘Pronto’ janë deklaruar se nuk ndihen fajtor për pretendimet e Prokurorisë.
Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.
Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.
Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.
Përndryshe, ky rast ishte publikuar nga mediat, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i Prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.
Qendra Kulturore Shqiptare në Gjermani organizon turnirin tr...
Çekia ndëshkon Kosovën pas 12 minutave lojë
Xhaka në formë para Botërorit, realizon gol në miqësoren nda...
Pas triumfit në Ligën e Kampionëve, Hakimi hyn në histori të...
“Është e dhimbshme, por jam krenar për këtë ekip” R...
Turqia e gatshme të bashkëpunojë me Japoninë në prodhimin e ...