Presidenti amerikan Donald Trump dëshiron “me ngulm” t’u përgjigjet pyetjeve të hetimit penal për lidhjet e anëtarëve të fushatës së tij elektorale me Rusinë, por një nga avokatët e tij thotë se mbetet skeptik nëse duhet lejuar që Presidenti Trump të përballet me pyetjet e prokurorëve nëse ai pengoi drejtësinë duke u përpjekur të dëmtonte hetimin.
Avokati i Presidentit Trump, ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani, i tha sot kanalit CNN se prokurori i posaçëm Robert Mueller dëshiron ta marrë në pyetje Presidentin për dy tema kryesore: bashkëpunimin e mundshëm me Rusinë në muajt përpara zgjedhjeve, si dhe nëse u përpoq kur u bë President që të bllokonte hetimin duke shkarkuar drejtorin e FBI-së James Comey, i cili drejtonte hetimin për Rusinë, përpara se të emërohej në këtë detyrë prokurori i posaçëm Mueller.
Zoti Giuliani u shpreh se “jam ok me pjesën për bashkëpunimin pasi e dimë që nuk pati një gjë të tillë. Me pjesën për pengimin e drejtësisë nuk ndjehem komod. Unë nuk jam. Presidenti nuk e ka problem. Ai është i pafajshëm. Unë nuk jam komod më këtë pasi është çështje interpretimi dhe jo diçka konkrete, diçka e vërtetë apo jo e vërtetë”.
Ai shtoi se “nëse i interpreton komentet e tij për shkarkimin e zotit Comey… nëse i interpreton si pengim të drejtësisë dhe jo si shkarkimin e dikujt që po e bën punën keq… pra nëse e shikon si pengim të hetimeve, atëherë mund të thuash se është pengim i drejtësisë”.
Zoti Giuliani tha se anëtarët e ekipit ligjor të Presidentit janë të shqetësuar se ai mund të bjerë në kurthin e dëshmisë së rreme, kur ai të jetë duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve për arsyet e shkarkimit të zotit Comey. Në këtë rast dëshmia e rreme përbën veprën penale të gënjeshtrave nën betim./VoA/
Ikonat e futbollit në një vend, Ronaldinho, Kaka dhe Adriano...
IQMT rrit kontrollet dhe konfiskon produkte jashtë standarde...
Arrestohen tre persona të dyshuar për vjedhje në Prishtinë
Plani operativ “Stop Drogave” në Prishtinë/ Arrestohen 8 per...
Nafta në Kosovë me çmim të njëjtë si dje
Mbi 1,700 gjoba në një javë në rajonin e Ferizajt, policia k...