Këshilli për Investime miratoi rregulloren e financimit të linjës hekurudhore 10

17:05 | 30 Korrik 2015
M. A.

Këshilli Kombëtar për Investime sot miratoi Rregulloren e Punës dhe financimin e fazës së parë të rehabilitimit të linjës hekurudhore 10.

Gjithashtu miratoi edhe metodologjinë për përzgjedhjen dhe prioritizimin e projekteve të infrastrukturës, si dhe u diskutua lista preliminare e projekteve prioritare infrastrukturore.

Kryesuesi i këtij Këshilli njëherësh edhe ministër i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, në hapje të kësaj konference tha se ky Këshill që do të koordinojë procesin e financimit të projekteve infrastrukturore në vend, ka për qëllim që të siguroj sinergji në mes të burimeve të ndryshme të financimit, përkatësisht buxhetit, huave dhe granteve.

Çollaku tha se synimi i tyre është që deri në muajin nëntor të kenë të përgatitur listën prioritare të projekteve në fushën e transportit, energjisë dhe mjedisit, për të vazhduar e pastaj me çështjet infrastrukturore në sektorin social, por njëkohësisht do të konsiderohet edhe përfshirja e sektorëve të tjerë, pasi që zbatimi i metodologjisë për prioritizimin e projekteve infrastrukturore tani më është edhe kriter zyrtar i Komisionit Evropian.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tha se sistemi i transportit është komponentë e domosdoshme në lehtësimin e zhvillimit ekonomik dhe zvogëlimin e varfërisë.

Kurse, zëvendës ministrja e MZHE, Besa Zogaj – Gashi, tha se kostoja totale e investimeve që pritet të ndodhin për energji është 24.2 milionë euro

Ndërsa, minis tri i Financave Avdullah Hoti, tha se Kosova ka përfituar bukur shumë mjete nga korniza investuese e Ballkanit Perëndimor për të kryer studimet e ndryshme.

Hoti ka theksuar se MF-ja së bashku me MIE-në kanë punuar ngushtë për të bërë themelimin e Komitetit Kombëtar për Investime një realitet dhe shtytës të përmirësimit të menaxhimit të financave publike dhe njëkohësisht të rëndësishëm në përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Ndërkaq i ngarkuari me punë nga Zyra e Bashkimit Evropian, Christof Stock, ka thënë se Këshilli Kombëtar për Investime i një rëndësie të veçantë për Kosovën që të përfitoj nga fondet e BE-së që janë në dispozicion për investime strategjike të cilat lidhin shtetet e Ballkanit Perëndimor mes tyre si dhe me shtetet anëtare të BE-së.

Shpërndaje në rrjete sociale